Telegrafi

Vrasësi ka kohë që po e përndiqte Shinzo Aben – motivi i vrasjes qëndron tek problemet e nënës së tij?

Ndërsa mjekët po luftonin ende për jetën e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, i cili më pas vdiq shkaku i plagëve të marra pas të shtënave me armë të premten, policia ishte tashmë në rrugën e tyre për në banesën e atentatorit 41-vjeçar, Tetsuya Yamagami.

Në shtëpinë e tij, ata gjetën një arsenal të tërë armësh të ngjashme me atë që ai përdori për të kryer krimin e paprecedentë.

Lexo po ashtu Momenti i plagosjes të ish-kryeministrit japonez, Abe

Yamagami i tha policisë se Abe ishte i lidhur me një grup që ai e urrente. Hetuesit nuk kanë bërë të ditur saktësisht se për cilin grup bëhej fjalë, pasi hetimet janë ende në vazhdim, por me vendosmëri pohuan se nuk bëhej fjalë për motive politike, raporton nypost.

Ajo që dihet është se Yamagami ishte anëtar i Marinës Japoneze për tre vjet kur ishte në të njëzetat e hershme.

Ai u tha hetuesve se nëna e tij falimentoi pasi shpenzoi para për të mbështetur një grup fetar, raportoi gazeta japoneze Mainichi Shimbun, duke cituar një burim policor.

“Nëna ime mbështeste një grup fetar dhe unë u zemërova”, citohet t’i ketë thënë ai policisë.

Familja më pas u shpërbë për shkak të obsesionit të nënës me grupin dhe Yamagami besonte se Abe ishte i lidhur me këtë “organizatë specifike”, por nuk e përshkruante natyrën e saj fetare.

Lexo po ashtu Nga Shinzo Abe e John Kennedy deri tek Itzhak Rabin - liderët botërorë që u vranë me armë zjarri

Sipas Kyodo News, Yamagami e ka ndjekur Abe në disa fjalime të mëparshme të fushatës, përfshirë të enjten mbrëma kur ai ishte në qytetin e Okayama.

Policia është ende duke hetuar nëse 41-vjeçari e ka ndjekur Aben me synimin për të gjetur momentin e duhur për atentatin, duke qenë se pjesëmarrja e ish-kryeministrit në mitingun në Nara nuk u konfirmua vetëm pak orë para vetë fjalimit. /Telegrafi/