Site icon Telegrafi

Voton Shaip Kamberi: Kosova e Shqipëria s’kanë faj që shqiptarët po garojnë në zgjedhje me dy lista

Shaip Kamberi i cili i prin Listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, tashmë ka hedhur votën e tij në zgjedhjet që po mbahen atje.

Ai në një postim në Facebook, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Ftoj Shqiptarët e Luginës së Preshevës të shfrytëzojnë masovikisht të drejtën e tyre të votës dhe të sigurojnë përfaqësim parlamentar”, ka shkruar Kamberi.

Ndërkaq para mediave ai është shprehur se Kosova e Shqipëria nuk kanë faj që shqiptarët po garojnë në këto zgjedhje me dy lista.

“Të shohim ndoshta moti i ftohtë, dimri, dita e shkurtër çfarë ndikimi mund të ketë. Megjithatë, unë besoj që ne do të arrijmë të kalojmë censusin e nevojshëm për të pasur një mandat….Sot është koha e zgjedhjeve, sot është koha për të motivuar njerëzit, për të mos kërkuar fajtorin. Gjithë ata që marrin pjesë duhet të bindin elektoratin e vet për rëndësinë e pjesëmarrjes dhe t’i ftojë ata të dalin. As Kosova dhe as Shqipëria nuk mund të ketë faj, se edhe Kosova edhe Shqipëria kanë bërë përpjekje, në radhë të parë Kosova që ka nisur këtë proces, për të unifikuar një listë, nuk është arritur dhe tash nuk kemi kohë të vajtojmë sot”, shtoi Kamberi.

Ai u shpreh optimist se do të arrijë të fitojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Kamberi theksoi se në politikë nuk ka vend për pesimizëm, ose duhet ta lësh profesionin. /Telegrafi/

Exit mobile version