Nuk ka finale shqiptare në edicionin e sivjetshëm të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Voska Sport – Tikveshi do ta diskutojnë trofeun e Kupës.
Ekipi nga Ohri ka shkruar historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në finale të Kupës, pasi eliminoi Makedonija Gjorçe Petrovin në gjysmëfinale.
Edhe përkrahë humbjes 2:1 në ndeshjen e kthimit, Voska kualifikohet më tej falë triumfit 2:0 në ndeshjen e parë në Ohër dhe me rezultat të përgjithshëm 3:2 eliminon Makedonija Gjorçe Petrovin nga kjo garë.
Ndërkohë ka befasuar Shkupi që eliminohet në gjysmëfinale nga skuadra e Tikveshit.
Të dyja ndeshjet gjysmëfinale si ajo e zhvilluar në Çair edhe kjo sot në Kavadar u mbyllën me barazime pa gola, teksa në gjuajtjen e penalltive, futbollistët e Tikveshit u treguan më të saktë dhe morën kualifikimin drejt finales.
Finalja e madhe e Kupës së Maqedonisë së Veriut ndërmjet Voska Sport dhe Tikveshit do të luhet me 22 maj./Telegrafi/