Ky çrregullim është një sëmundje psikiatrike ku mendja zhytet në mendime të vazhdueshme të pakontrollueshme ose individi përsërit vazhdimisht veprime duke i shkaktuar vetes stres dhe vështirësi në jetën normale
Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Neuropsikiatër
Tel: 044 502 508
Obsesionet janë mendime, ide apo imazhe të padëshirueshme, intruzive, të qëndrueshme të cilat personi nuk i do, mundohet të largohet prej tyre dhe i pranon si produkt i mendjes se tij.
Ndërsa kompulsionet janë veprime të ndërlikuara por që gjithsesi kanë një qëllim të caktuar; veçse i sëmuri ndihet i detyruar t’i kryejë, edhe pse mban qëndrim kritik karshi këtyre lloj veprimeve – pa mundur dot ta evitojë kryerjen e tyre.
Kjo gjendje për një kohë të gjatë është klasifikuar si neurozë, por sot vihet re tendenca për ta evituar këtë term dhe thjeshtë i referohemi si çrregullime të sjelljes.
Kompulsioni konceptohet si një lëvizje e brendshme që ju shtyn ju të bëni veprime të cilat në të vërtetë ju nuk doni t’i bëni.
Njerëzit me shqetësime – obsesivo-kompulsive shpesh janë të preokupuar me pastërti absolute dhe frikë nga kontaminimi, veçanërisht nga fecet. Disa lajnë aq shumë sa u zhvillohet dermatit ekstrem në duar.
Pastaj mjaft frekuente janë obsesionet e vërtetimit, se mos e kanë harruar ‘shporetin’ kyçur, derën e banesës hapur…Në radhë janë obsesionet nga frika e mjeteve të mprehta, thikave në kuzhinë, etj. Në realitet kjo nuk ndodhë. Ata kanë mjaft forcë që ta ndalin veten, mirëpo shpenzojnë mjaft energji duke u preokupuar me këto mendime imponuese, stereotipe edhe pse e dinë që fobitë e tyre nuk janë të lidhura me shkaktarët e vërtetë.
Të gjitha këto mendime, refrene, përfytyrime, tek personi krijojnë ankth, tensionim nervor, lodhje, kështu që vjen në shprehje komponenti i dytë i këtij çrregullimi –kompulsionet.
Ata këto veprime i kryejnë me një lloj radhe, koordinimi i këtyre veprimeve është shumë herë matematikor: psh., numërimi, larja e duarve, dorëzave, vërtetësia e çelësit në derë, shkyçja e ‘shporetit’ elektrik.
Këto rituale personi mundohet që t’i luftoj. Ai shpesh i reziston këtyre kompulsioneve, mirëpo të shumtën e herëve vetëm deri në ato momente kur ankthi, frika dhe tensionimi nervor shtohen aq shumë sa që një gjendje e tillë shpërthen dhe domosdo personi prapë bie pre e veprimeve kompulsive me të cilat sado kudo ka ndjenjën e çlirimit dhe sigurimit sepse tashmë e ka vërtetuar portën disa herë se është e mbyllur mirë, vetëm atëherë mund të niset në rrugë ose të flejë rehat.
Derisa për personin obsesionet, kompulsionet, nuk paraqesin problem, nuk i marrin më shumë kohë se një orë në ditë, me këto telashe ata dhe mund të bashkëjetojnë. Mirëpo, nëse të gjitha këto mendime, veprime i bëhen barrë dhe e pengojnë në veprimtarinë e përgjithshme, atëherë pa hezitim duhet kërkuar ndihmën e profesionistit, psikiatrit ose psikologut.
Hulumtimet gjenetike flasin për 40% të trashëgimtarëve të rendit të parë që do të dalin me këtë çrregullim. Frojdi flet për impulse të pavetëdijshme, agresive, të natyrës seksuale të cilat shkaktojnë anksiozitet.
Teoritë e mësimit flasin për një person që e lidh ankthin me një ngjarje të veçantë në mendimin e tij dhe, më pas, për ta zbutur ankthin ai kryen rituale.
Vet çrregullimi paraqet ndoshta formën më të rëndë nga çrregullimet e kualitetit jo psikotik. Obsesionet dhe kompulsionet herë-herë mund të jenë mjaft refraktare dhe të rënda sa që pacientin mund ta bënë të paaftë dhe para kohe ia ndërpresin karrierën.
Pacientët me këtë çrregullim janë më të izoluar, të kthyer nga vetja, emocionalisht janë më ftohët, me kohë fillojnë të humbin virtytet, performancën dhe tek format më të rënda, veçohen. Kështu që tek ankthi permanent dhe i rritur, personat mund të zhvillojnë gjendje depresive të rëndë, me tendenca suicidale, rrallë edhe kualitete psikotike.
Trajtimi duhet të jetë i kombinuar, farmakoterapi, antidepresiv SSRI si Sertralina, Fluvoksamina, Paroksetina Fluoxetina etj.
Rol mjaft të rëndësishëm ka terapia kognitive dhe sjelljes, e cila përdor ekspozimin si dhe përgjigjen parandaluese.
Ekspozimi bëhet gradual ose i shpejtuar, psh., tek personi me frikë nga përlyerja, infeksioni, ai shtyhet që t’i ekspozohet papastërtisë. Kurse e dyta, pacientit nuk i jepet shansi për përgjigje kompulsive, duke e përballur me situatën frikësuese. Psh., nëse e ka harruar ‘stufën’ ndezur “ta shohim flakën” duke e parandaluar që ta verifikoj. Rezultatet janë të mira. /Telegrafi/