Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar objektin në ndërtimin e shkollës “Halil Alidemaj” dhe ka shprehur shqetësimin e tij për neglizhencën që po vazhdon në finalizimin e këtij projekti.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga Komuna, bëhet e ditur se ndërtimi i objektit të ri të shkollës, po vazhdon të përballet me vonesa të mëdha.
“Ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Mesme e Ulët “Halil Alidemaj” në Pozheran, po vazhdon të përballet me vonesa të mëdha sa i përket finalizimit të tërësishëm të këtij projekti, gjë që ka shkaktuar shqetësim të thellë tek Institucionet lokale, nxënësit, prindërit dhe stafi arsimor”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, punimet për ndërtimin e objektit të ri, të cilat pritej të përfundonin vite më parë, janë ndalur për një kohë të gjatë.
Tutje, theksohet se kjo vjen si pasojë e neglizhencës së institucioneve qendrore.
“Punimet për ndërtimin e objektit të ri, të cilat pritej të përfundonin vite më parë, janë ndalur për një kohë të gjatë, pa asnjë përparim të dukshëm. Kjo situatë vjen si pasojë e neglizhencës së institucioneve qendrore, të cilat duket se nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetjen dhe fondet e nevojshme për përfundimin e projektit”, thuhet tutje në komunikatë.
Haliti shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e objektit dhe premtoi se do të angazhohet për të shtyrë përpara këtë çështje në nivel qendror dhe ritheksoi se është e papranueshme që fëmijët e Pozheranit të vijojnë mësimet me orar të shkurtuar e në kushte të tilla./Telegrafi/