Site icon Telegrafi

Von der Leyen anulon takimin me kryeministrin serb pasi ai priti ministrin rus në Beograd

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka anuluar takimin e planifikuar më parë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Komisioni Evropian ka konstatuar se nuk ka nevojë që Von der Leyen të takohet me Vuçeviqin pas njoftimit për takimin e tij me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në të cilin thuhet se ishte planifikuar të forcohej bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe politikave të tjera ndërmjet dy vendeve, shkruan nova.rs.

Kujtojmë se Qeveria e Serbisë ka lëshuar një deklaratë për media pas takimit Vuçeviq-Resetnjikov, ku thuhet se “të dy zyrtarët diskutuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve”.

Kryeministri Vuçeviq tha se biseda mes presidentëve të dy vendeve, Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Vladimirovich Putin, paraqet një moment të ri për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Federatës Ruse.

Vuçeviq e falënderoi Resetnikovin edhe për ftesën e Federatës Ruse për pjesëmarrjen e Serbisë në samitin e BRICS, ku Serbia u përfaqësua nga nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Serbisë, Aleksandar Vulin dhe ministrat në Qeverinë e Serbisë.

Duke folur për sanksionet ndaj Federatës Ruse, Vuçeviq theksoi se, pavarësisht presioneve të mëdha, Serbia udhëheq një politikë të lirë dhe të pavarur, që është përparësi e saj, sepse ka bashkëpunim të mirë me Federatën Ruse, si dhe me Bashkimin Evropian, Kinën dhe vende të tjera.

Ndryshe, Ursula von der Leyen arriti sot në Beograd nga Bosnja dhe Hercegovina ndërsa nesër do të viziton Kosovën, ndërsa turneun rajonal e përfundon me një vizitë në Mal të Zi. /Telegrafi/

Exit mobile version