Site icon Telegrafi

Vokrri takohet me kryeministrin Haradinaj

Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri i shoqëruar nga nënpresidenti Agim Ademi, sekreari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe shefi i financave Agim Gashi, u pritën sot nga  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Fillimisht krerët e FFK-së e falënderuan dhe uruan kryeministrin për zgjedhjen në krye të Qeverisë së vendit, duke i ofruar bashkëpunim të parezervë në realizimin e objektivave qeverisëse sa i përket futbollit kosovar dhe infrastrukturës, por edhe plotësimit dhe zbatimit të Ligjit për Sponsorizim.

Në këtë takim shumë miqësor u theksua nevoja e përfshirjes së Qeverisë Haradinaj, përkatësisht të MKRS-së dhe Ministrisë së Financave në përshpejtimin e përfundimit të punëve në stadiumin e KF “Prishtina” (u kërkua që të shikohet mundësia që gjatë rishikimit të buxhetit të shtetit për vitin 2017 të intervenohet me rreth 3 milionë euro që garantojnë kryerjen e këtij stadiumi të standardeve të UEFA-s) si dhe të nisë operacionalizimi i punëve rreth stadiumit kombëtar në Bërnicë.

Presidenti i FFK-së Fadil Vokrri, e njoftoi kryeministrin Haradinaj për fillimin e studimit të fizibilitetit për stadiumin kombëtar, që do të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës dhe kapacitetet që ai do të ketë si dhe për objektet e tjera përcjellëse.

Në fund presidenti i FFK-së, z. Vokrri ia dhuroi Kryeministrit Haradinaj fanellën e Kombëtares së Kosovës, me numrin 1, për çka Kryeministri u falënderua shumë.

Exit mobile version