Çështja e pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) do të jetë në agjendën e Kongresit të 66-të të FIFA-së, i cili do të mbahet me 12 dhe 13 maj në Meksiko City.
Për këtë është i bindur kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Çështja e pranimit të Kosovës në FIFA është në pikën e 15-të të rendit të ditës.
Por, në agjendën e FIFA’së parashihej mundësia që votimi për anëtarësimin e Kosovës të hiqet nga rendi i ditës.
PO ASHTU LEXONI: FIFA mund ta heq nga agjenda pranimin e Kosovës (Dokument)
“Agjenda e FIFA-së është publikuar para pranimit të Kosovës në UEFA. Nëse ne nuk do të ishim pranuar në UEFA, atëherë çështja e Kosovës do të hiqej nga agjenda e FIFA-së”, ka deklaruar Vokrri për Express.
“Por, tani ne jemi pjesë e UEFA-së si të gjitha shtetet evropiane, dhe kështu çështja e pranimit të Kosovës do të jetë në agjendën e FIFA-së”, ka theksuar numri një i futbollit kosovar.