Humbje mes shumë polemikash për Vllazninë në kuadër të Conference League.
Shkodranët e trajnerit Tomas Brdariç u mposhtën me rezultatin 3-1 ndaj Shiroki Brijeg, në një sfidë ku protagonist absolut u bë gjyqtari rus Matjunin.
Ai akordoi dy penallti të dyshimta në favor të boshnjakëve, si dhe nxori nga xhepi, plot 12 kartonë të verdhë e dy të kuq për shkodranët.
Mesfushori Ardit Krymi dhe trajneri Brdariç u përjashtuan nga loja në minutat e fundit, ndërkohë që golin që mban ende ndezur shpresat e Vllaznisë, e realizoi talenti Çoba në minutën e 90+2.
Për vendasit realizoi Staniç dy herë nga pika e bardhë e penalltisë si dhe Lukiç në minutën e 77-të.
Sfida e radhës do të zhvillohet pas 1 javë në “Loro Boriçi”, ku shkodranët do të tentojnë përmbysjen e madhe. /Panorama Sport/