Site icon Telegrafi

Vllahiu: Zhvillimi i Prishtinës të trajtohet në mënyrë të barabartë

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e AAK-së, Arbër Vllahiu, ka kritikuar qeverisjen aktuale se gjatë mandatit të saj nuk është marrë me problemet e qytetarëve, ndërsa është zotuar se me ardhjen e tij në pushtet do të trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

Ai gjatë vizitës në Bardhosh, ka dëgjuar hallet dhe problemet me të cilat përballen banorët dhe bizneset në këtë pjesë të Komunës së Prishtinës.

Pas zhgënjimit me gjendjen reale në terren dhe premtimet e dhëna nga qeverisjet paraprake në këtë lagje, Vllahiu ka thënë se

zhvillimi i Prishtinës në tërësi bëhet kur i gjithë qyteti trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të integruar.

“Zona rurale duhet të integrohet me zonën urbane. Pushteti lokal ka fjetur këto vjet dhe nuk është marrë me hallet e qytetarëve. Në Bardhosh kanë probleme me ujë. Në Bardhosh kanë probleme me çështjet ekzistenciale. Tani, po merremi me një situatë emergjente në gjithë qytetin. Duhet ta zgjidhim atë që pushteti e ka neglizhuar apo i ka dhënë hapësirë vetëm vetes dhe partisë së tij”, shkruan Vllahiu në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version