Telegrafi

Vllahiu: Do të trajtohen njësoj zona urbane dhe rurale

Kandidati i AAK-së për Kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, ka vizituar zonën rurale të Komunës së Prishtinës, duke e përfshi Mramorin, Businë, Grashticën, Slivovën dhe Kukaj.

Vllahiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Prishtina do të jetë e integruar, pjesa urbane dhe ajo rurale do të trajtohen barabarësisht dhe shërbimet komunale do të ofrohen njëjtë

“Do të jemi me qytetarin tonë. Problemet e hallet e tyre do të jenë edhe tonat dhe do t’i zgjidhim bashkë. Në Mramor dhe në Gollak në përgjithësi për t’i dhënë perspektivë zonës. Infrastrukturën rrugore, ujin, kanalizimet do t’i trajtojmë menjëherë. Buxheti për bujqësinë do të trefishohet për të arritur në 2 milionë euro. Subvencionim për bujqit tanë edhe në bujqësi e blegtori. Prodhimi vendor do të stimulohet dhe garantohet në tregjet e Prishtinës, që do të krijohen e revitalizohen në çdo pjesë të qytetit. Do ta mbështesim biznesin e vogël, familjar, dhe do të investojmë në turizmin rural. Prishtina do të jetë e integruar, pjesa urbane dhe ajo rurale do të trajtohen barabarësisht dhe shërbimet komunale do të ofrohen njejtë. #PërPrishtinën e zhvilluar e të integruar. #50”, ka shkruar Vllahiu.