Site icon Telegrafi

Vlerësimi i opozitës në Shtime pas 3 vjetëve të qeverisjes së Vetëvendosje

Subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, dega në Shtime, e ka vlerësuar të dobët periudhën 3 vjeçare të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në administratën komunale. Sipas këtij subjekti gjatë kësaj periudhe, kjo qeverisje që udhëhiqet nga kryetari Qemajl Aliu, është përballur me keqpërdorim të parasë publike, keqmenaxhim , e nepotizëm.

Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së, dega në Shtime, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se qeverisja në Komunën e Shtimes është e dobët, për shkak se janë marrë dhjetëra vendime të kundërligjshme të cilat janë të konfirmuara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Të gjitha këto, janë ngritur edhe në mbledhjet e Kuvendit komunal.

“Nëse flasim edhe në fushën e shëndetësisë dhe në fushën e arsimit mund të themi se ka keqmenaxhim, keqklasifikim të mjeteve dhe shpenzimeve financiare, mandej të gjitha këto i ka konfirmuar edhe vetë auditori i cili ka nxjerrë një raport jo të mirë për Komunën e Shtimes e përderisa ne kemi qenë në këtë qeverisje, raporte të tilla nuk kanë ekzistuar për gjithë atë kohë”, ka thënë Jakupi.

Sipas Jakupit në fushën e Kulturës, Rinisë e Sportit ka keqklasifikim të mjeteve apo të shpenzimeve financiare për të cilat edhe auditori ka nxjerrë një mori rekomandimesh dhe ka konstatuar gjetje të cilat i janë adresuar kryetarit të Komunës së Shtimes dhe kuvendit të komunës.

“Ne si opozitë vazhdimisht i kemi ngritur këto në kuvend dhe në takime me shoqërinë civile apo me media dhe qytetarët. Këto të gjetura e bëjnë komunën e Shtimes dhe kryetarin si një kryetar jo transparent, një kryetar  i cili e keqmenaxhon buxhetin e Komunës së Shtimes, keqpërdor pozitën dhe autoritetin zyrtar për të cilën gjë mund ta konfirmoj se kohëve të fundit ka edhe hetime nga njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës dhe prokurorisë të cilët janë duke u marrë me veprat të cilat këta zyrtar i kanë bërë”, ka thënë Jakupi.

Jakupi më tej ka folur edhe për fushën e shëndetësisë për të cilën ka thënë se për fat të keq gjendja është kaotike me arsyetim se vetëm gjatë kohës së fundit kanë ndodhur dhjetëra dorëheqje nga ky institucion qoftë të mjekëve, infermierëve.

“Ata po largohen shkaku që nuk dëshirojnë të punojnë me një menaxhment i cili është në krizë duke filluar nga kryetari i Komunës e deri te menaxherët që operojnë në QKMF, mirëpo orientohen nga kryetari i Komunës për fat të keq dhe atje kemi një gjendje jo të mirë qoftë në menaxhim por edhe në shërbime për të cilat qytetarët neve na informojnë. Për këtë kemi dy raporte të inspektoratit të punës që e konfirmojnë këtë që po e them unë, atje ka gjetje alarmante për çka edhe QKMF-ja është gjobitur në vlerë prej 3500 eurove gjë që kjo formë ka bërë edhe të dëmtohet buxheti për shkak të gabimeve të cilat janë duke i bërë menaxhmenti në fushën e shëndetësisë në këtë rast kryetari i Komunës”, ka thënë Jakupi.

Sipas Jakupit ky kryetar i ka ndërruar tre drejtor komunal të cilët nuk kanë treguar përformancë të mirë dhe të cilët janë zhytur në keqpërdorim, andaj dy prej tyre janë duke u hetuar nga agjencia për korrupsion dhe parandalim të konfliktit të interesit.

“Ky vlerësim për qeverisjen lokale është sepse ka dhjetëra vendime të kundërligjshme të cilat kanë të bëjnë kryesisht me objekte ndërtimore publike, mandej ka pasur destinim të pronave gabimisht, dhënie në shfrytëzim apo doestinim për objekte publike të cilat ne si kuvend nuk jemi pronar të pronave, mandej ka pasur edhe keqklasifikim të vendimeve . Së fundi e kemi një vendim të kundërligjshëm të kryetarit të cilin e ka konfirmuar Ministria e Pushtetit Lokal që ka të bëj me themelimin e dy drejtorive komunale dhe sistematizimin e vendeve të punës në administratën komunale”, ka thënë ai.

Jakupi, ka shtuar se sa i përket nepotizmit në fushën e arsimit, në shëndetësi dhe në administratë, janë dhjetëra raste ku zyrtarët komunal duke e përdorur pozitën zyrtare kanë avancuar njerëz të afërt të familjarëve të tyre dhe kanë avancuar aktivist dhe simpatizant të LVV-së dhe kjo sipas Jakupit e bën që qytetarët e komunës së Shtimes ta humbin besimin në këtë administratë.

“Po ashtu kemi politizim të skajshëm në fushën e arsimit, kemi drejtor që ishin aktivist të subjekteve të ndryshme politike në të njëjtën kohë kemi pasur edhe ndëshkim të një ish drejtori i cili ka pasur mendim ndryshe nga kryetari aktual. Kemi pasur një hipokrizi derisa një është shkarkuar për aktivitete politike, kurse vetë i ka emëruar tre të tjerë që janë aktivist, por së fundi edhe nepotizmi dhe politizimi në fushën e arsimit është jashtëzakonisht i madh. Kjo ka ngjarë pas disa vendimeve që i ka marrë kryetari i komunës për emërimin e drejtorëve komunal”,ka thënë Jakupi.

Sipas Jakupit, për fat të keq qytetarët e komunës së Shtimes e kanë një administratë komunale e cila është duke u hetuar në të gjitha fushat duke filluar nga kryetari i komunës, kryesuesi i Kuvendit si dhe stafi i kryetarit Qemajl Aliut.

“Janë duke u hetuar për keqpërdorime të ndryshme në të gjitha fushat. Qytetarët e komunës së Shtimes, nuk e meritojnë një administratë të tillë dhe këtë po e themi sepse ne si subjekt politik kemi menaxhuar gjatë me komunën e Shtimes dhe kemi njohuri se çfarë po ndodh dhe në çfarë mënyre e kemi dorëzuar pushtetin tek LVV-ja dhe për fat të keq tre vjet pas kësaj, gjendja në administratën komunale e menaxhuar nga Qemajl Aliu është shumë të rëndë edhe në kuptimin e menaxhimit dhe në fushat tjera”, ka shtuar Jakupi.

Në anën tjetër me gjithë insistimin e Telegrafit, Komuna e Shtimes prej dy ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me pretendimet e opozitës për këtë periudhë të qeverisjes. /Telegrafi/

Exit mobile version