Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Komunën e Prizrenit, të premten kanë organizuar debatin publik për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zgjerimin e deponisë se mbeturinave në Landovicë.
Në takimin e mbajtur në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit nuk kanë marrë pjesë qytetarët.
Megjithëkëtë para zyrtarëve është prezantuar shkurtimisht përmbajtja e Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zgjerimin e deponisë se mbeturinave në Komunën e Prizrenit.
Hartuesi i VNM-së, Raif Bytyçi ka bërë të ditur se ky dokument është i nevojshëm për marrjen e pëlqimit mjedisor dhe se i njëjti është hartuar sipas kërkesave të kornizës ligjore mjedisore të Kosovës.
Sipas tij zona e projektit përfshinë katër komuna të rajonit të Prizrenit (Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë) dhe tri komuna të rajonit të Gjakovës (Gjakovë, Malishevë e Rahovec), që i depozitojnë mbeturinat në deponinë e Landovicës.
“Landfilli do të zgjerohet drejt lindjes, me një kapacitet vjetor prej afërsisht 142,200 ton/vit, sipas standardeve të BE-së. Zgjidhja e propozuar mund të zgjasë funksionimin e landfillit afërisht 14 vjet”, ka thënë Bytyçi.
Bashkëpunëtori profesional, Blert Gjinolli duke prezantuar analizën e alternativave ka theksuar se gjendja aktuale në deponinë e Landovicës është e palakmueshme dhe se alternativë mbetet zgjerimi i saj duke i zbatuar standardet ndërkombëtare, ku menaxhimi e trajtimi i mbeturinave bëhet në atë mënyrë që ndikimet mjedisore e sociale të jenë minimale.
“Si e tillë, kjo alternativë është me e mirë sesa alternativa zero”, është shprehur ai.
Pas tij, Bytyçi ka prezantuar edhe Planin e menaxhimit të mjedisit, sikurse edhe masat e rehabilitimit në këtë zonë.
Në anën tjetër zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë kërkuar sqarime lidhur me jetëgjatësinë e deponisë, pastaj masat për adresimin e problemit të lagunës dhe derdhjes së ujërave të zeza, ndërkohë që si vërejtje për organizatorët e takimit kanë përmendur edhe mos praninë e përfaqësuesve të fshatit Landovicë, meqë ndikohen nga ky projekt.
Përfaqësuesit e KMDK-së kanë ofruar sqarime për pyetjet e parashtruara, ndërkohë që për mos praninë e qytetarëve kanë thënë se nuk kanë njohuri pasi ata janë informuar më herët për projektin në fjalë dhe se debati publik është organizuar bazuar në udhëzimet e MMPHI-së për mbajtjen e takimeve të tilla. /Telegrafi/