Me ndeshjet e rrethit të parë të DigitAlb Kupës, 12 skuadrat elitare edhe zyrtarisht përfunduan stinorin vjeshtor. Analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre për ekipet, ndërsa tash është radha e gazetës që noton skuadrat prej 5 deri në 10, varësisht prej paraqitjeve të tyre në pjesën e parë të kampionatit.
Ferronikeli 9
Nuk është notuar me 10, por ka marrë maksimumin nga skuadrat tjera elitare. Kampioni vjeshtor, Ferronikeli është notuar me 9 për paraqitjen në vjeshtë. Pa stadium dhe pa pretendime të mëdha, ekipi nga Drenasi arriti të përfundojë në vendin e parë. Është skuadra vetme pa humbje në udhëtim, derisa mangësia e vetme janë dy disfatat e vetme në ‘shtëpi’.
Llamkos Kosova 8.5
Vushtrriasit kanë pothuajse futbollistët e njëjtë me të cilët u shpallën kampionë. Nëse shikohet nga jashtë pozita e tretë në renditje, nuk mund të llogaritet si sukses për ‘gladiatorët’. Mirëpo, futbollistët nuk e kanë marrë asnjë cent nga klubi gjatë gjithë stinorit vjeshtor dhe pavarësisht kësaj, angazhimi nuk ka munguar asnjëherë. 8.5 për Llamkosin.
Hajvalia 8
Vjeshta i ‘rezervoi’ Hajvalisë pozitën e dytë në renditje. Për një skuadër të promovuar rishtazi në Superligë, kjo pozitë është admiruese. Mirëpo, duke parë startin e kryeqytetasve, ambiciet e tyre e më pas rënien drastike, vjeshta nuk i dha rendimentet e pritura për Synaj Keçin dhe futbollistët e tij që vlerësohen me notën 8.
Trepça ‘89 7.5
Nga skuadrat pretendente për titull, vetëm kryesia e Trepçës ‘89 nuk deklarohet se do të ‘luftojnë’ për këtë trofe. Megjithatë, mitrovicasit e duan aq shumë titullin sa që do të bëjnë çmos që në pranverë t’i përmirësojnë gabimet e vjeshtës, për të cilat vlerësohen me 7.5. Pavarësisht lojërave të mira, 89-shi regjistroi më së shumti barazime (10) dhe pozita e katërt nuk është shumë e mirëpritur.
Prishtina 6.5
Kryeqytetasit vazhdojnë të jenë kandidatë seriozë për titull kampioni, ndonëse janë në pozitën e pestë Mirëpo, bazuar në përforcimet e bëra gjatë verës, Prishtina është dashur ta bëjë diferencën vetëm pas stinorit vjeshtor. Veç mungesës së rezultateve, kryeqytetasit e Bylbyl Sokolit i karakterizoi edhe loja jo e pëlqyeshme për publikun.
Besa 6.5
Fjalë të mëdha kishte dhënë edhe Besa. Ashtu sikurse Prishtina, ndoshta më pak, pejanët shpenzuan shumë për përforcime, por në fushë nuk dëshmuan fuqinë që e pretenduan. Pozita e gjashtë është realitet i hidhur për pejanët.
Drenica 6
Skenderajasit arritën të përforcohen gjatë verës me disa futbollistë cilësorë dhe pretendimet e tyre kanë qenë më të mëdha. Pozita e shtatë nuk është më e mira e mundshmja për potencialin e futbollistëve të trajnerit Tahir Lushtaku, prandaj nuk marrin më shumë se 6.
Vëllaznimi 6
Krahas Drenicës, me 6 vlerësohet edhe Vëllaznimi që është më poshtë se skenderajasit në renditje. Mirëpo, gjakovarët kanë pasur dukshëm fond më të varfër të futbollistëve dhe për më shumë, kanë edicionin e parë në Superligës pas rikthimit nga Liga e Parë. Megjithatë, duke ditur përvojën e disa lojtarëve, ‘kuqezinjtë’ kanë mundur të mbërrijnë më shumë.
Drita 5.5
Gjilanasit bën reforma në verë, duke vendosur që të luajnë me futbollistë të rinj. Kjo iu hakmor atyre, pasi Drita vetëm në xhiron e fundit të vjeshtës arriti të ikë nga fundi i renditjes. Megjithatë, e ardhmja e këtij ekipi është premtuese.
Istogu 5.5
Sikur të vazhdonte seria e tyre e mirë në ditët e para me trajnerin Nazmi Rama, Istogu nuk do të vlerësohej me 5.5. Mirëpo, të rikthyerit në elitë dështuan në fillim të kampionatit e po ashtu edhe në fund të stinorit.
Trepça 5
‘Xehetarët’ e përforcuar gjatë verës sa për t’i ikur fundit të renditjes, nuk ia arritën këtij qëllimi, të paktën pas 16 xhirove. Madje, sikur të mos ishte trajneri i ardhur, Ajet Shosholli, Trepça do të rrezikonte shumë.
Ferizaj 5
Nga pretendimet për titull edicionin e kaluar, Ferizaj u desh të kënaqet me pozitën e fundit pas stinorit vjeshtor. Ndryshimet në përbërje gjatë verës ndikuan te ferizajasit, por futbollistët aktualë të ekipit kanë mundur të bëjnë më shumë.