Site icon Telegrafi

Vlerësimet e lojtarëve të Përfaqësueses së Kosovës

Kushtrim Mushica

Mushica do ta mbajë mend gjatë ndeshjen me Turqinë. Ai ‘hëngër’ gjashtë gola. Jo të gjithë për fajin e tij. Por, në të dytin ishte fajtor. Pati shumë punë, ndërsa golat ishin të pashmangshëm. Nota: 5.5

Fanol Perdedaj

Nuk ishte Perdedaj i ndeshjes me Haitin. E përcolli fati i keq, pasi pësoi lëndim në dorë dhe luajti vetëm 45 minuta. Por, Fanoli pati pak kontakt me top, por jo ndonjë depërtim nga krahu i djathtë. Nota: 5.5

Debatik Curri

Një debutim i tij i hidhur. Pak ia bëri edhe lodhja, pasi pa stërvitje hyri në fushë. Me atë që zhvilloi, nuk ishte Curri i dikurshëm. Madje, në golin e parë të Turqisë, ishte fajtor, pasi kundërshtari e tejkaloi në vrapim. Mbrojtja ishte pika më e dobët dje. Nota: 5.5

Lum Rexhepi

Sërish një paraqitje jo e mirë e Rexhepit. Gabime të shumta në pasime, që krijonin panik të madhe në mbrojtje. Ashtu si ndaj Haitit kur hyri në lojë, edhe dje shtatlarti Rexhepi nuk ishte në ditën e tij të mirë. Nota: 5

Kristian Nushi

Nuk është pozita e tij në krahun e majtë, por këtë herë as Nushi nuk ishte ai si me Haitin. Në pjesën e parë depërtoi paksa në krahun e majtë, por që i mungonte bashkëveprimi me Faton Toskin. Në të dytën luajti edhe në krahun e djathtë. Nota: 5.5

Anel Rashkaj

Kapiten i vërtetë. I vetmi që dha shpirtin në fushë. I vetmi që kënaqte tifozët dje. I vetmi që kontrollonte topin dhe fitonte duelet me turqit. Një lider në fushë. Por, me një lule nuk çel pranvera. Nota 6.5

Mehmet Hetemaj

E nisi mirë ndeshjen, por më pas bënte gabime në pasime. Nganjëherë fitonte duelet, por gabimet ishin te theksueshme. Një paraqitje jo për t’u vlerësuar nga Hetemaj. Nota 5.5

Enis Alushi

Është pritur më shumë nga ai, por edhe pse luajti tërë kohën, fare pak u vërejt. Rrallë herë ishte në kontakt me topin. Një ndeshje jo për 90 minuta. Nota 5

Faton Toski

U prit më shumë edhe nga Toski. Nuk pati depërtime nga e majta. Në pjesën e parë luajti diç më mirë, por jo edhe në të dytën. Nota 5.5

Dardan Rexhepi

Një debutim me asist. Përveç kësaj, as Rexhepi nuk bëri diç më shumë. Rrallë ishte në kontakt me topin. E vetmi vlerësim mbetet asisti për Albert Bunjakun. Nota 5.5

Albert Bunjaku

Goli historik mund ta shfajësoj paksa, edhe pse ai erdhi si dhuratë nga portieri i Turqisë. Albert Bunjaku nuk zhvilloi ndonjë ndeshje për t’u mbajtur mend. Pas shënimit të golit u tregua vetjak kur nuk pasoi për Toskin. Nota 6

Zëvendësuesit

Përveç Albion Avdijajt e Mentor Zhdrellës, asnjëri nga zëvendësuesit nuk bëri ndonjë paraqitje më të mirë se ata të cilët i zëvendësuan. Krahas tyre, në lojë hynë edhe Shkodran Metaj, Alban Bunjaku, Yll Hoxha, e Bajram Jashanica. /Tribuna/Telegrafi/

Exit mobile version