Qytetarët e Fushë Kosovës kanë mirëpritur iniciativën e vizitave shtëpiake për nëna dhe fëmijë që po realizohen nga mamitë.
Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes për gratë shtatzëna dhe nënat e reja, duke pasur parasysh rëndësinë e shëndetit të tyre gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pas lindjes.
Ndër mamitë më të dashura për shumë qytetarë janë Mirnie Gojnovci dhe Nerxhivane Tërnava, të cilat punojnë që nga viti 2002 në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Të ndihmosh një nënë, të shpëtosh një jetë është vlerë humane, njerëzore ,privilegj, detyrë e rëndësishme dhe e nderuar për një infermiere-mami.Mamia ka një rol të rëndësishëm në shëndetin dhe mirëqenien e një nëne, të bebes së saj. Qëllimi i mamisë është rritja e njohurive stafit mjekësorë, grave shtatzëna, nënave të reja në kujdesin antenatal, kujdesit pas lindjes, depresionit pas lindjes, zhvillimi i fëmijës së moshë të hershme (0-3 vjeç) dhe anëtarëve të tjerë të familjes për të ofruar mbështetje, zgjerimin dhe fuqizimin e ofruesve të kujdesit shëndetësor”, thuhet mes tjerash në njoftimin e bërë nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë.
Gjithashtu, nga kjo QKMF kanë folur edhe për rolin e mamisë Mirnie Gojnovci.
“Këtë punë e bënë me nder dhe përkushtim mamia Mirnie Gojnovci , e cila nga marsi i vitit 2002 fillon punën në QKMF “Dr.Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë. Në vitin 2012 fillon me programin ‘Vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë’ që edhe sot vazhdon dhe merr titullin Koordinatore e VSh. Një mami e cila pret, këshillon dhe përcjell gjendjen emocionale shëndetësore të shumë grave shtatzëna, duke iu ofruar kujdes para, gjatë dhe pas lindjes, po ashtu kujdes për të posalindurit dhe të ushqyerit me gji nga e ëma dhe shumë shërbime tjera me vizitat në shtëpi .Kujdesi dhe përkujdesja ndaj të tjerëve janë virtyte të çmuara dhe ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më humane”, bëhet e ditur në njoftim.
Po ashtu, kjo QKMF ka falënderuar maminë Mirnie Gojnovci, e cila është gati të ofron ndihmën për të tjerët, gjithashtu ka publikuar edhe numrin kontaktues për vizitat në shtëpi: 046/600222. /Telegrafi/