Site icon Telegrafi

“Vite të humbura dhe dështim total” – Aliu kritikon tre vitet e Hysenit në krye të Gjilanit

Tri vite të qeverisjes të kryetarit të komunës në Gjilan, Alban Hyseni, po konsiderohen si të dështuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës-Dega në Gjilan.

Shefi i Grupit të këshilltarëve nga radhët e LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu, në një prononcim për Telegrafin, në vend të projekteve zhvillimore dhe investimeve të premtuara, këto vite qeverisje lokale i përshkruan me një atmosferë dëshpërimi dhe mungesë progresi.

Tri vite qeverisje nga LVV në dhe nga z.Hyseni në vend të projekteve zhvillimore, Gjilanit dhe qytetarëve të kësaj komune i kanë sjellë dëshpërim dhe depresion. Gjithë atë pak vullnet dhe takatë që e ka z.Hyseni e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë për mbrapshtë, për mundësi të keqpërdorimit, të korrupsionit dhe shkeljes së ligjeve (disa prej tyre)”, ka thënë ai.

Kritikat ndaj kryetarit kryetarit, Aliu i përqendron “tek keqpërdorimi i mjeteve financiare dhe shpërdorimi i buxhetit të komunës”.

Sipas tij, mjetet financiare të parapara për projekte zhvillimore janë devijuar për pagesa të kundërligjshme, dreka zyrtare dhe shpenzime të tjera.

“Mjetet financiare që do të duhej të përdoren për investime kapitale në përgjithësi dhe për projekte zhvillimore shumë të nevojshme, z.Hyseni po i shpenzon në pagesa të kundërligjshme për kontrata në vepër (një nga të gjeturat në raport të auditimit), për të cilat edhe do të duhej të ketë ngritje të aktakuzës, për dreka zyrtare dhe për shpenzime akomodimi, udhëtimi dhe mëditje”, tha Aliu për Telegrafin.

Gjithashtu, sipas tij, gjatë gjithë periudhës së pranverës dhe verës nuk është punuar në asnjë projekt të rëndësishëm, ndërkohë që tani, kur po afron dimri, Aliu thekson se janë nisur dy projekte rrugore.

“Gjatë gjithë stinës së pranverës dhe verës nuk është punuar në asnjë projekt, ndërsa tani kur dimri është n’derë ka filluar me dy projekte, d.m.th me dy rrugë, e që edhe këto dy projekte janë me shkelje ligjore duke shkelë planet rregulluese respektive si dhe duke devijuar nga projekti për të keqpërdorur mjete financiare,” u shpreh ai.

Aliu thekson se këto zhvillime kanë krijuar një ndjenjë frustrimi të thellë tek qytetarët e Gjilanit, të cilët, sipas tij, ndihen të braktisur dhe të dëshpëruar nga qeverisja aktuale.

“Ata thonë se kanë votuar për projekte dhe zhvillim, por kanë përfunduar me dëshpërim dhe mungesë perspektive”, ka theksuar Aliu.

Ai tutje thekson se është viti i tretë i qeverisjes aktuale lokale, si vit i humbur dhe i dëshpëruar.

“Pra, edhe viti i tretë është vit i humbur dhe i dështuar siç po del të jetë edhe mandati i humbur 4-vjeçar. Qytetarët kanë votuar për projekte, kanë gjetur depresion dhe dëshpërim, prandaj kështu është kur provohen gjërat symbyllur”, përfundon burimi. /Telegrafi/

Exit mobile version