Është pikërisht ajo që ndihmon në formimin e indit lidhor që i mban së bashku qelizat dhe formon pejzën (ligamentin), kërcin dhe muret e enëve të gjakut dhe në qoftë se ajo mungon, muret e enëve të gjakut dobësohen, duke e lejuar atë të rrjedhë në inde dhe për pasojë trupi mavijoset lehtë, gingivat nxjerrin gjak, dhëmbët rrezikojnë të prishen dhe shpesh ka dhimbje në kyçe. Të gjitha këto janë shenja të mungesës së vitaminës C.
Në të vërtetë, shumë prej simptomave të moshës së vjetër – rrudhat, dhëmbët që lëvizin e bien, kocka të dobëta – janë simptoma të mungesës së saj. Gjithashtu, ajo ndihmon për përthithjen dhe përdorimin e lëndëve të tjera ushqyese, veçanërisht hekurit. Njerëzit që janë anemikë mund të kenë hekur me bollëk, por jo mjaftueshëm vitaminë C për ta përdorur atë siç duhet.
Kjo vitaminë është e përqendruar në kokërdhokët e syrit dhe si pasojë ndihmon për një shikim të mirë; dozat e mëdha të saj mund të përmirësojnë infeksionin e syrit dhe kataraktin (perden). Por funksioni më i rëndësishëm i vitaminës C, sipas studimeve, është dezintoksikimi i gjakut. Ajo kombinohet me çdo substancë helmuese ose toksike që hyn në trup duke i zhdukur ato, si rrjedhim, pastron trupin.
Çdo substancë e huaj, madje edhe ilaçet që hyjnë në gjak, janë pak a shumë helmuese për trupin. Kështu, vitamina C eliminon helmin, por shkatërrohet edhe vetë në këtë proces. Gjatë infeksionit dhe sëmundjeve, sa më shumë vitaminë C që merret (ndonjëherë madje 20-40 herë më shumë se sa sasia normale), aq më shpejt e merr veten pacienti.
Janë studiuar infeksione dhe sëmundje të panumërta, përfshi këtu meningjitin, pneumoninë, të ftohtit, infeksionet e syrit, alergjitë, dhimbjet e shpinës, artriti (pezmatimi i kyçeve) dhe është zbuluar se vitamina C i ka lehtësuar të gjitha ato. Ajo, gjithashtu, detoksifikon dhe eliminon produktet e tepërta metabolike, toksike të vetë trupit (të tilla si acidi laktik) që shkaktojnë lodhje, veçanërisht pas ushtrimeve ekstreme.
Eksperimentet me ushtarët treguan që kur atyre që transportonin pajisje të rënda në marshime të gjata dhe të vështira u jepej vitaminë C, ata ndiheshin më pak të lodhur, e merrnin veten më shpejt dhe nuk vuanin nga ngërçet e këmbës. Ata ushtarë, të cilëve nuk u jepej vitaminë C, vuanin nga lodhja e madhe dhe ngërçe të forta në këmbë dhe nuk e merrnin veten për ditë të tëra. Si rrjedhim, shumë ushtarëve u jepen doza të mëdha me vitaminë C, përpara se të shkojnë në një mision të vështirë.
Gjithashtu, kjo vitaminë efektive është gjithashtu e vlefshme për të lehtësuar stresin mendor, për emocionet e forta, veçanërisht ata me stres shumë negativ, të cilat prodhojnë shumë toksina në trup. Personat me çrregullime nervore ose emocionale janë lehtësuar shumë duke marrë vitaminë C. Shumë mjekë tani rekomandojnë doza të mjaftueshme të vitaminës C tek ata pacientë të cilët duhet të përjetojnë situata të vështira.
Burimi më i mirë i vitaminës C janë frutat e agrumeve (portokajtë, limonët, qitrot, mandarinat etj.) Specat jeshilë kanë një përmbajtje të lartë me vitaminë C, domatet dhe perimet e gjelbra janë burime të tjera të mira; por ajo në përgjithësi ndodhet në të gjitha gjërat e pagatuara, frutat dhe perimet e freskëta.
Sasitë relativisht të vogla të kësaj vitamine nevojiten në jetën e përditshme nga personat e shëndetshëm dhe këto sasi shumë lehtë mund të merren nga burimet natyrale, pa iu drejtuar shtesave të vitaminave.
Kërkesa e përditshme minimale është rreth 50 mg, ose një gotë me limonadë apo lëng portokalli të freskët. Lëngu i limonit me mjaltë ose kripë rekomandohet veçanërisht për të pastruar trupin dhe për të çlodhur mendjen.
Vitamina C është një vitaminë shumë delikate, e cila shkatërrohet lehtësisht nga nxehtësia, oksigjeni, drita dhe substancat bazike. Shpejt, pasi një frut është qëruar ose ndarë, vitamina C shkatërrohet, kështu që është mirë t‘i konsumojmë frutat dhe perimet shumë shpejt pasi ato janë prerë.
Me gjithë këto cilësi dhe veti magjike që i atribuohen asaj, a nuk është më mirë që të përdorim çdo ditë portokaj, limonë dhe mandarina nëse duam të ndihemi më mirë, më në formë dhe të mos sëmuremi asnjëherë? /shqip/