Telegrafi

Virtuozët në instrumente të ndryshme ndezin natën e dytë të “Prizren Rock and Blues Festival”

Nata e dytë e edicionit të dytë të “Prizren Rock and Blues Festival” ka vijuar me muzikë mbresëlënëse nga artistët vendorë, ata të rajonit dhe ndërkombëtarë. Virtuozët e instrumenteve të ndryshme janë përkujdesur që kjo natë të jetë e paharrueshme për publikun, duke shijuar sidomos solot e tyre.

Kitaristi Sokol Keci me bendin e tij janë paraqitur me linja flakëruese në harmoni, duke sjellë një funk-rock kompleks por po aq të bukur për veshët, që ka qenë paralajmëruese për një natë me muzikë të shkëlqyeshme në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, raporton Telegrafi.

Pas tyre në skenë është paraqitur edhe një kitarist me nam, Vlatko Stefanovski, i cili me dekada ka mahnitur audiencën me aftësitë e tij për përzierjen e rock-ut, bluesit dhe ritmeve ballkanike. Paraqitja e tij me trion, ka qenë e para përgjatë karrierës së tij të gjatë në muzikë.

“Ndihemi jashtëzakonisht mirë që do të luajmë në Prizren sonte. Kam kaluar nëpër Prizren shumë herë por kurrë nuk kam luajtur këtu. Pas 50 vitesh karrierë me paraqitje në gjithë botën është koha që të luajmë për ju në Prizren, dhe është një kënaqësi e madhe”, ka thënë Stefanovski.

Ndërkaq rok grupi “403” nga Kosova ka emocionuar publikun me interpretimin e këngëve të njohura, derisa Hektor Gjurgjiali është shprehur i kënaqur që po paraqitet në vendlindjen e tij. “Mirëmbrëma Prizreni, qyteti më i bukur në botë. Qyteti im, vendlindja ime”, ka thënë ai, teksa ka shprehur mirënjohje për organizatorët për realizimin e këtij eventi, raporton Telegrafi.

Nata e dytë është përmbyllur me performancën e bendit “Dirty Loops” nga Suedia që për publikun ka luajtur muzikë me një përzierje zhanresh nga jazz fussion, funk, pop dhe klasike. “Kjo është hera e parë që paraqitemi në Kosovë dhe po e shijojmë njëjtë si ju”, ka thënë këngëtari Jonah Nilsson para të pranishmëve.

Në natën e tretë dhe të fundit të këtij festivali do të paraqiten Frank Gambale and All Star Band, Bojken Lako, Bon Jovi Experience dhe Benoit Martiny Band. /Telegrafi/