Capital T – Po të mos ishte Capital T, hip-hopi shqiptar nuk do të ndryshonte, do ishte po ai i njëjti. Pavarësisht se pati këngë të shumta dhe prurje të reja, megjithatë ishin serish emrat e vjetër të kësaj rryme muzikore që sunduan tregun.
Elvana Gjata – Hit pas hiti Elvana vazhdon të mbetet njëra nga këngëtaret më të kompletuara tani për tani, e cila thuajse asnjëherë nuk gabon me përzgjedhjen e saj muzikore.
Kara DioGuardi – Një shqiptare anëtare e jurisë në "American Idol", spektaklin më të ndjekur në botë… Patjetër se duhet përfshirë në këtë listë
Rona Nishliu – E veçantë në stilin e saj, qoftë në të veshur, qoftë në të kënduar, apo në interpretimin skenik. Është ndër të paktat këngëtare që eviton rrymën dhe bën atë çka i ndjen zemra. Këtë e dëshmoi edhe në festivalin "Kënga Magjike". Padyshim këngëtarja më e veçantë në muzikën shqiptare.
Adelina Ismaili – A ka listë që mos të përfshihet Adelina? Turne në Amerikë, turne nëpër Evropë, kënge dhe video të reja, për të mos harruar edhe performancën e saj në festivalin "Kënga Magjike", ku i befasoi të gjithë me paraqitjen e saj. Pavarësisht si lëkundet vala e muzikës, Adelina di gjithmonë të drejtojë timonin e barkës së vet, andaj edhe vazhdon të jetë këngëtarja më e paguar shqiptare.
Arta Dobroshi – Një shqiptare e cila luajti rolin kryesor në njërin prej filmave më të mirë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Gjithsesi, Arta është
padyshim aktorja më e mirë e vitit duke marrë vlerësime pozitive nga Evropa në Amerikë.
Flori Mumajesi – 3 nga 5 hitet e vitit 2009 janë produkt i Florit. Njëri nga kompozitorët që la gjurmë gjatë këtij viti duke prodhuar hite të shumta të interpretuara nga emra të njohur të skenës shqipe.
Granit Limani dhe Leutrim Blakaj (Entermedia)- I dhëne fund videove si xhirime dasmash dhe ndryshuan fytyrën e programeve muzikore shqipe. Me ne fund mund te ulesh e te shikosh për t’u kënaqur një klip të një cilësie po aq të mirë sa dhe të vendeve perëndimore.
Fadil Berisha – Me aparatin e tij magjik, fotografi i njohur ka arritur të reklamojë më së miri bukurinë shqiptare në botë, dhe padyshim kualifikimi në finale i dy bukurosheve shqiptare është meritë e tij.
Tika – Të gjitha vajzat duan të jenë modele të Victoria Secret, por Tika është shqiptarja e vetme që i është afruar më pranë kësaj ëndrre. Në konkursin e Victoria Secret këtë vit, ajo arriti të kualifikohej në grupin e pesë vajzave më të mira nga mijëra bukuroshe që konkurruan. Pavarësisht se nuk fitoi, ekspozimi në kanalet amerikane dhe pjesëmarrja në këtë konkurs, i ka hapur shumë dyer modeles, nga e cila më tepër do të dëgjojmë vitin që vjen.
Martina Ivezaj – Fituesja e "Miss Tunning 2009" na mrekulloi me fotot e kalendarit të saj duke marrë menjëherë titullin ‘Shqiptarja më seksi në vitin 2009’.
Dafina Zeqiri – Këngëtarja e cila mori primatin gjatë vitit 2009. Dafina bëri që ‘të harrohen’ këngëtaret e tilla si Genta, Nora, Zanfina… duke bërë një bum, sidomos me bashkëpunimet e saj me Bleron dhe Capital T dhe 2 po 2.
Marigona Dragusha – Një emër i cili do të mbahet mend për vitin që po lëmë pas. Marigona Dragusha u shpall shoqëruesja e dytë e Miss Universit 2009 , që u mbajt në Bahama të SHBA-ve. Bukuria shqiptare, kësisoj, ka kaluar kufijtë nacional dhe është bërë vlerë e përbotshme e botës së bukur. Krenaria shqiptare është ngritur në Olimp dhe Marigona është femra e parë shqiptare që këtë bukuri e bën të ngritët aq lartë, sa që të prekë edhe qiellin.
Bjordi dhe Adela – Protagonistët nga edicioni i dytë i “Big Brother Albania” ishin pjesë e vazhdueshme e shtypit shqiptar, i cili thuajse çdo ditë ka shkruar për ta. Edhe pse asnjëri nga ata nuk doli fitues i spektaklit të famshëm, sidoqoftë, ata lanë nën hije fituesin e sivjetmë, Qetsor Ferunaj.
Bleona Qereti – Këngëtarja, e cila me vite ka premtuar se do te shfaqet ne tregun amerikan, ndërsa këtë doli një lajm për të në New York Post, i cili bëri të besojmë se ndoshta Bleona e ka përnjëmend. Po ashtu, Revista Albaniac e shalli atë si këngëtarja më seksi e vitit. Këto elemente mjaftojnë që Bleona të përfshihet edhe në këtë listë.
Blerim Destani dhe Masiela Lusha – Dy protagonistët e njërit prej filmave më të suksesshëm dhe më të përfolur gjatë këtij vitit- "Koha e Kometës". Kishte kohë që njerëzit nuk interesoheshin aq shumë për një film shqiptar dhe falë tyre u shtuan shpresat se kinematografia jonë është ende gjallë. Ndërkohe, dy aktorët janë duke punuar në projekte të cilat do t’i sjellin në ekranin e kinemave botërore gjatë vitit që vjen.
Besa Kokedhima – Nëse juria e festivalit kombëtar në vendlindje të nënvlerëson, atëherë duhet të provosh veten në një festival ekuivalent të një vendi tjetër- juria e Festivalit Kombëtar Rumun e vlerësoi si vokalin më të mirë të këtij festivali, ku Besa arriti deri në finale.
Alban Skenderaj dhe Miriam Cani– Albani promovoi një album, bëri një duet me Miriamin, të cilën me pas e fejoi, këndoi dy këngë në anglisht, publikoi një video në Gjermani dhe së bashku me Miriamin, drejtuan Festivalin e Këngës në RTSH.
Ferdi Berisha – Fitues i ‘Grand fratello 2009’ në Itali, derisa të gjithë shqiptarët përcillnin "Big Brother Albania". Përtej detit versionin italian të këtij programi, e fitoi një shqiptar nga Mali i Zi. Prezantimi i tij i sinqertë si dhe një lidhje dashurie, bëri që Ferdi t’i fitonte zemrën publikut.
Vanessa Krasniqi – Finaliste e "Das Super Talent" në Gjermani. Në spektaklin e njohur gjerman Vanesa i shtangu të gjithë me zërin dhe interpretimin e saj duke bërë që njëri prej anëtarëve të jurisë t’i ulej në gjunjë në shenjë respekti. Ajo arriti të kualifikohej në finalen e këtij spektakli duke ecur denjësisht në hapat e Miriam Canit dhe Arit, talente që gjithashtu kanë pasur sukses në programe të tilla në televizionet gjermane.
/RevistaAlbaniac/Telegrafi/