Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë është një shembull i qartë se si standardet e shtetit të së drejtës mund të komprometohen nën komisionerin që përfaqëson ideologjinë e Viktor Orban, shkruan Viola von Cramon, në një tekst autorial.
Në tekstin e autorit për Euroctive, Viola von Cramon thekson se të Gjelbrit, që nga fillimi i punës së Komisionit Evropian nën kontrollin e Ursula von der Layen, paralajmërojnë se komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, është njeriu i gabuar në vend të gabuar.
“Dikush i emëruar nga një qeveri që shkel sundimin e ligjit dhe thyen demokracinë nuk mund të jetë një shembull i mirë për vende si Mali i Zi, Serbia apo Shqipëria, të cilat po luftojnë për tranzicionin demokratik. Shenjat e para të rritjes së ndikimit dhe politizimit, në vend të një qasjeje të paanshme, kanë nisur në fillim të mandatit të Varhelyit. Megjithatë, më e keqja erdhi me paketën aktuale të zgjerimit për vitin 2021 dhe me vlerësimin vjetor të Komisionit për gatishmërinë dhe arritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së”.
“Komisioni zyrtarisht ka shkuar poshtë standardeve të veta duke zbehur raportin e progresit të Serbisë për vitin 2021, veçanërisht për standardet e sundimit të ligjit. Qëllimi ishte i qartë – pavarësia e gjyqësorit, sepse ky model tashmë aplikohet në Hungari dhe Poloni. Me pak fjalë, Serbia është në proces të ndryshimeve kushtetuese që synojnë të përmirësojnë pavarësinë e gjyqësorit. Ndryshimet kushtetuese, ndër të tjera, duhet të ndryshojnë përbërjen e Këshillit Shtetëror të Prokurorëve, i cili zgjedh prokurorët. KE-ja deklaroi në Raportin e saj të Shqyrtimit Gjyqësor Serb të vitit 2014 (fq. 25) se prokurorët duhet të përfaqësojnë së paku 50 për qind të Këshillit të Prokurorit të Shtetit, në mënyrë që të shmanget politizimi i emërimit të prokurorëve. Mirëpo, shtatë vjet më vonë, Komisioni e mirëpriti propozimin e amendamenteve kushtetuese, që parasheh që prokurorë të jenë vetëm 5 nga 11 anëtarë të Këshillit të Prokurorit të Shtetit, pra nën pragun prej 50 për qind”, thekson ajo në tekstin e saj.
Viola von Cramon kujton se më 18 tetor të këtij viti, një ditë para publikimit të raportit të progresit, Komisioni i Venecias ka nxjerrë një opinion duke kritikuar zgjidhjen e përmendur.
“Është një rekomandim i qartë që prokurorët të përfaqësojnë 6 nga 11 anëtarët dhe që ministri dhe kryeprokurori të mos jenë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Ky është, pra, një shembull i qartë se si Komisioni Evropian është politizuar në interes të boshtit Orban-Vuçiq dhe se standardet e shtetit ligjor mund të komprometohen nën mbikëqyrjen e Komisionit. Supozoni se vlerësimi i shtetit të së drejtës, i cili është vetë thelbi i rendit juridik të BE-së dhe fusha që përcakton progresin e përgjithshëm në negociatat e anëtarësimit, nuk duhet t’i besohet plotësisht. Në atë rast, e gjithë paketa e zgjerimit e vitit 2021 duhet të shqyrtohet me kujdes, sepse është padyshim jo e besueshme dhe me të meta. Ky është gjithashtu një shembull i shkëlqyer se përse vlerësimi i përgjithshëm i Komisionit, veçanërisht për Serbinë, dhe ndoshta edhe të disa vendeve të tjera, nuk mund të jenë një burim i besueshëm. Prandaj rekomandimi për hapjen e kapitujve të ri është i gabuar”, thekson Cramon.
Ajo thekson se opozita serbe, organizatat joqeveritare dhe mediat e pavarura janë nën presion të madh nga regjimi dhe se prej tyre mund të dëgjohen paralajmërime në mënyrë që ftesat për vlerësimin e progresit të Serbisë të jenë gozhda e fundit në arkivolin e integrimit evropian.
“BE-ja duhet të rifitojë besueshmërinë e saj duke aplikuar kushtëzimin e rreptë dhe vlerësimin e drejtë, jo thjesht duke pretenduar se e bën këtë. Për më tepër, ne duhet të hetojmë tërësisht nivelin e kapjes institucionale dhe të rivendosim integritetin e Komisionit”, tha Viola von Cramon. /Telegrafi/