Vendimi i CAS për të reduktuar dënimin e Michel Platini solli edhe vendimin e këtij të fundit për të dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të UEFA-s në Kongresin e ardhshëm që do të mbajë ky institucion.
Kjo do të thotë se në qeverinë e futbollit europian do të ketë zgjedhje të reja për të përcaktuar kreun e ri të saj. Presidenti i Federatës Spanjolle të futbollit, Angel Maria Villar do të vendosë kandidaturën e tij për këtë post, lajm ky që bëhet i ditur nga e përditshmja “AS”.
Vetë UEFA ka bërë të ditur se më 18 maj në Bazel do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të saj për të përcaktuar hapat e mëtejshëm dhe këtu përfshihet edhe programi për zhvillimin e Kongresit Zgjedhor të Jashtëzakonshëm.
Ky Kongres Zgjedhor, ku Villar duket se do të jetë kandidatura e vetme për president, pritet të mbahet në fillim të muajit qershor, vetëm pak ditë përpara fillimit të Evropianit të Francës.