Telegrafi

Vietnami identifikon një variant i cili raportohet të jetë kombinim i llojit indian dhe britanik

Vietnami ka identifikuar një variant të COVID-19 që duket të jetë një kombinim i variantit indian dhe britanik dhe mund të përhapet shpejt nga ajri, thonë zyrtarët.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, ministri i Shëndetësisë në Vietnam, Nguyen Thanh Long e përshkroi mutacionin e fundit si “shumë të rrezikshëm”.

Viruset pësojnë mutacion gjatë gjithë kohës, dhe shumica e varianteve janë të paqëndrueshëm, por disa mund ta bëjnë një virus më infektues.

Që kur u identifikua sëmundja e COVID-19 për herë të parë në janar të vitit 2020, mijëra mutacione janë identifikuar.

“Vietnami ka zbuluar një variant të ri të COVID-19 që kombinohet nga karakteristikat e dy varianteve ekzistuese, njëri i gjetur për herë të parë në Indi dhe tjetri në Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh Nguyen.

Ai deklaroi mes tjerash se varianti i ri i hibrid ishte më i transmetueshëm se versionet e njohura më parë, veçanërisht në ajër. /Telegrafi/