Sebastian Vettel ka fituar garën e parë të këtij sezoni të Formula 1.
Piloti gjerman ka triumfuar në garën e Çmimit të Madh të Australisë duke lënë pas kampionin Lewis Hamiltonin e Mercedesit.
Çelësi i fitores së Vettel ishte xhiro e 25-të, momenti kur në pistë u vendos regjimi i makinës së sigurisë virtuale pas një problemi që kishte makina e Grosejan (Haas), me Hamilton dhe Raikkonen që e kishin kryer ndalesën për të ndërruar gomat. Nga kjo situatë përfitoi piloti gjerman i Ferrarit, që bëri ndalesën e tij dhe doli para rivalëve, pozicion që e ruajti deri në fund edhe pse përpjekjet e Hamilton ishin të mëdha për të rimarrë kreun, por pa sukses.
Pos Vettelit, edhe një pilot i Ferrarit u ngrit në podium në saje të vendit të tretë të Kimi Raikkonenit.
“Ne patëm pak fat me veturën e sigurisë, por me të vërtetë e shijova atë. Kam humbur lidhjen me Lewisin dhe Kimin, unë kam qenë duke luftuar me gomat e mia dhe lutesha për një veturë sigurie”, tha Vettel.
Në anën tjetër, Lewis Hamilton e ka uruar fituesin e garës së parë kampionale dhe se pret një vazhdim të fortë të botërorit.
“Ka qenë një fundjavë e pabesueshme. Urimet e mua shkojnë për Sebastian Vettelin dhe Ferrarin, sot ata bënë punën më të mirë, por ne ende kemi një ritëm të madh. Kjo është një garë e mrekullueshme, por është shumë e vështirë për të arritur”, tha Hamilton. /Telegrafi/