Pas shqetësimeve të banorëve, Komuna e Lipjanit po akuzohet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë qytet me arsyetimin se në fshatin Medvec kishte asfaltuar rrugë private me qëllim të përfitimit të votave, por që sipas këtij subjekti opozitar ato punime po dalin të kontestuara me kalimin e kohës.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, komuna e Lipjanit pa i bërë matjet e nevojshme gjeodezike kishte asfaltuar një rrugicë në këtë fshat, ndërkohë pronari i një parcele e kishte kufizuar pronën personale duke u bazuar në matjet gjeodezike. Një pjesë e parcelës së tij përfshinte edhe pjesën e rrugës me asfalt. Ai kishte vendosur pengesa mbi rrugë për ta kufizuar pronën personale të cilën kohë më parë e kishte blerë nga një banor i këtij fshati.
Valenton Amerllahu, sekretar në Lëvizjen Vetëvendosje në Lipjan, ka akuzuar komunën se po asfalton rrugë në prona private. Sipas tij, në këtë mënyrë qeverisja e Imri Ahmetit po tenton të marrë vota duke hedhur asfalt mbi pronë private, por në ndërkohë po u dalin telashe të tilla kontestimore.
“Praktikat e tilla, sidomos para fushatës zgjedhore po intensifikohen. Projekte tërësisht të pa planifikuara e të pamenduara të mirë, rrugica në prona të kontestuara, ku asfaltohet në mes të “gurit të mexhës” jo rrallëherë po krijojnë probleme në mes qytetarëve. Imri Ahmeti konfliktuoz, me papërgjegjësinë e tij po i futë në probleme e konflikte edhe kushërinjtë në mes vete. Qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë panik, i cili po përkthehet në projekte të pamenduara, pa cilësi, e me qëllim krejtësisht elektoral. Qytetarët këtë mendësi do ta dënojnë gjithsesi me 9 shkurt”, ka thënë Amerllahu.
Rreth kësaj çështje, shqetësime kanë dhënë edhe vetë banorët e kësaj lagjeje në fshatin Medvec.
Në anën tjetër deri në momentin e raportimit, Telegrafi nuk ka pranuar përgjigje nga Komuna e Lipjanit lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/