Javë më parë ishte raportuar se disa nxënëse nga Komuna e Gjakovës, si pasojë e një sfide në rrjetin social Tik-Tok, kishin marrë disa vetëlëndime, çështje kjo e cila ngriti alarmin në Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, duke bërë që vendimi për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkolla, t’u ri-dërgohet edhe njëherë shkollave të kësaj komune.
Në një intervistë dhënë Telegrafit, Eranda Kumnova Baçi, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Gjakovës, ka bërë të ditur që numri i rasteve të vetë-lëndimeve të cilat janë raportuar në Komunën e Gjakovës është 22.
“Fillimisht ne e kemi dhënë shifrën e fundit të cilën e kemi pasur edhe nga Policia e Kosovës, ku numri i vajzave të vetë-lënduara ka qenë 22, dhe nga rasti i fundit i vetëlëndimit e deri më tani nuk ka numër tjetër, pra nuk kanë ndodhur raste të reja të vetëlëndimit”, tha fillimisht Kumnova – Baçi.
Ndërsa, aktualizimin e Udhëzimit administrativ për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkollë, si pozitiv e sheh mësimdhënësi dhe sociologu, Endrit Temaj.
“Aty ku ishte situata në të cilat u shfaqën rastet e vetëlëndimit, u aktualizua pika e udhëzuesit administrativ që ndalonte përdorimin e telefonave në shkolla. Në fakt mendoj që në këtë rrafsh, apo sens kjo është mjaft e dobishme sepse statistikisht është treguar që aty ku nuk janë përdorur telefonat kanë rënë dukuritë negative”, shtoi tutje Temaj, shkruan Telegrafi.
Tutje në një përgjigje për Telegrafin nga Prokuroria Themelore e Gjakovës kanë bërë të ditur se në këtë institucion është duke u trajtuar vetëm një rast që ka të bëjë me vetëlëndimin e nxënësve.
“Lidhur me pyetjen e parashtruar ju njoftojmë se lidhur me këtë rast në Prokurorinë Themelore Gjakovë është duke u trajtuar vetëm një (1) rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë me drejtoreshën e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi, si dhe me mësimdhënësin e sociologun Endrit Temaj. /Telegrafi/