Site icon Telegrafi

Veseli: Vota për Ferit Idrizin është për Vushtrrinë moderne dhe të zhvilluar 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në tubimin përmbyllës elektoral në Vushtrri.

Ai ka thënë se më 19 nëntor, në Vushtrri do ta kenë festën e fitores së kryetarit të ri, Ferit Idrizi.

“Vushtrria është shembull i fuqishëm i qeverisjes së mirë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ne jemi krenarë me punën e jashtëzakonshme të Bajram Mulakut”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës është parti që jeton me ndryshimin.

“Ne jemi partia që Vushtrrinë do ta kthejmë në qendër referimi për zhvillimin ekonomik. Në katër vjetët e ardhshëm, nën drejtimin e Ferit Idrizit, Komuna e Vushtrrisë do të zhvillohet në të gjitha drejtimet”, ka thënë ai.

Veseli ka premtuar se do ta hapin edhe Parkun e Biznesit në Lum të Madh prej 14 hektarësh dhe zonën ekonomike në Bajskë.

Ai ka thënë se shkollat profesionale do të bashkëveprojnë me prodhuesit e Vushtrrisë, që të hapin vende të reja të punës për rininë.

“Grantet dhe subvencionet për fermerët e Vushtrrisë do të shumëfishohen. Me Ferit Idrizin kryetar, asnjë fermer i Vushtrrisë nuk do të mbetet pa subvencione”, ka thënë ai.

Kreu i PDK-së ka thënë se komuna do të jetë krah i djathtë për të gjithë prodhuesit dhe sipërmarrësit e Vushtrrisë dhe nuk do të mbetet asnjë projekt në infrastrukturë pa u kryer.

“Çdo projekt i kryetarit Idrizi në fushën e arsimit e shëndetësisë do ta ketë mbështetjen e plotë financiare nga Qeveria, ashtu siç e ka pasur deri më tash”, ka premtuar Veseli.

Lideri i PDK-së ka kërkuar nga simpatizantët e PDK-së në Vushtrri që ta përçojnë mesazhin e fitores anekënd Vushtrrisë dhe të kërkojnë nga të gjithë që të votojnë për kryetarin Ferit Idrizi dhe për Vushtrrinë moderne dhe të zhvilluar.

Exit mobile version