Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në një tubim me qytetarë në qytetin e Shtimes.
Qytetarëve të Shtimes, i pari i PDK-së u ka thënë se Fillimi i Ri do t’i japë edhe më shumë kuptim lirisë sonë, duke zhvilluar ekonominë e shtetit tonë.
“Ne kemi nevojë të kemi një ekonomi të fuqishme. Ky do të jetë orientimi jonë në Fillimin e Ri, orientim i tërësishëm i të gjitha resurseve tona, gjitha kapaciteteve tona institucionale dhe financiare në përkrahje të ndërmarrësisë”, ka thënë Veseli.
Vetëm me një ndërmarrësi, sipas Veselit, e cila është e fuqishme, konkurruese dhe e zhvilluar, që prodhon të mira materiale, mund të krijojmë edhe vende të reja të punës.
“Do t’i përkrahim të gjithë ata heronj të Kosovës, që mbajnë ndërmarrje dhe zhvillojnë biznese, në mënyrë që të fuqizohen. Do të përkrahen fermerët, që jetojnë me djersën e ballit të tyre, që mbajnë familjet e tyre dhe krijojnë të mira materiale. Ky do të jetë orientimi ynë”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së ka premtuar edhe rritje të subvencioneve dhe granteve investive në bujqësi.
“Kam një mesazh për të gjithë fermerët: do t’i rrisim subvencionet, do t’i rrisim grantet, do t’i përmirësojmë aftësitë dhe kapacitetet prodhuese e profesionale, që orientimi i tyre të jetë nga një bujqësi prodhuese, në një bujqësi industriale, e cila zvogëlon importin dhe forcon prodhimin në Kosovë, duke krijuar vende të reja të punës”, ka thënë Veseli.
Ndërsa, Naim Ismajli nga dega e PDK-së në Shtime, i cili është edhe Kryetar i Shtimes, ka thënë se fitorja e 11 qershorit, do të jetë fitorja e 11-të për PDK-në e Shtimes.
Ismajli ka thënë se elektorati i PDK-së në Shtime dhe qytetarët e saj e kanë ndarë mendjen për ta votuar koalicionin e madh.