Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me kandidatin e PDK-së për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, kanë prezantuar projektin “Bashkimi i Qytetit” për Ferizaj.
Veseli ka thënë se Agim Aliu është kryetar i vendimeve dhe projekteve të mëdha për Ferizajn, i cili përveçse ka përkrahjen e qytetarëve të Ferizajt, e ka përkrahjen edhe të qeverisjes qendrore.
“Agimi gjithmonë ka qenë njeri unifikues, që i ka bashkuar njerëzit. Ndërsa, si kryetar i Ferizajt, me projektin e tij shumë të rëndësishëm, ai do ta bashkojë edhe tërë qytetin e Ferizajt. Do ta modernizojë infrastrukturën dhe Ferizaj do të bëhet komunë shumë tërheqëse për investitorë të vendit dhe të huaj”, ka thënë Veseli.
Ai ka premtuar se Ferizajt do t’i kthehet ritmi i shpejtë i zhvillimit, siç e kërkojnë dhe e meritojnë ferizajasit.
Ndërsa, kandidati për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se ky projekt në vlerë prej 2.5 milionë euro është i planifikuar të zbatohet në tri faza, ku në fazën e parë parashihet ndërtimi i urave mbikaluese në formë harku që lidhin rrugët “Tahir Sinani” dhe “Ahmet Kaçiku”, si dhe nënkalimi për automjete që lidh rrugët “Vëllezërit Gërvalla” me “Latif Hasani” – prapa postës, deri te rrethrrotullimi afër Shtëpisë së Pensionistëve.
“Në po këtë fazë është planifikuar të vazhdohet edhe nënkalimi ekzistues nën rrugën “Ahmet Kaçiku”, por me dalje në rrugën “Emin Duraku”, ka thënë Aliu.
Ndërsa, në fazën e dytë, sipas tij, është planifikuar të ndërtohet edhe nënkalimi për automjete që lidh rrugën “Rexhep Bislimi” me rrugën “Agim Matoshi”, deri te tregu dhe me dalje në rrugën “Enver Topalli”, si dhe ndërtimi i parkingjeve nëntokësore te tregu i gjelbër me partneritet Publiko-Privat.
Kurse, në fazën e tretë, bazuar në projektin e shpalosur nga kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, do të ndërtohet edhe rruga nëntokësore që lidh rrugën e ndërtuar në fazën e parë me atë të ndërtuar në fazën e dytë nëpër qendër të qytetit, si dhe të ndërtohen parkingjet nëntokësore në Sheshin e Ferizajt, bashkë me lidhjen nëntokësore me qendrën komplekse te Stacioni i Autobusëve.