Policia Rajonale në Ferizaj gjatë muajve të fundit ka realizuar një varg planesh operative në komunikacion me qëllim të parandalimit të aksidenteve. Sipas zyrtarëve policor në Ferizaj, shqiptimi i gjobave edhe marrja e patentë shoferëve pas kundërvajtjeve, ka për qëllim vetëdijesimin e vozitësve në komunikacion.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se vozitësit duhet të kenë kujdes dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit me qëllim që mos të shkaktojnë aksidente dhe mos të mbesin pa patentë shofer.
“Sipas raporteve tona të konfirmuara deri më tash në javën e kaluar prej datës 10 qershor e deri më 16 qershor janë shqiptuar gjithsejtë 1079 tiketa kundërvajtëse, prej tyre 19 patentë shofer janë konfiskuar, ndërsa kanë ndodhur 43 aksidente në komunikacion, prej tyre 15 me lëndime dhe 28 me dëme materiale. Fatmirësisht gjatë javës së kaluar nuk kemi parur aksidente me fatalitet”, ka thënë Veseli.
Ndërkohë, gjatë muajit maj të këtij viti, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithsejtë 6 mijë e 313 gjoba për kundërvajtje në komunikacion, pastaj ka hequr 98 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion, për të cilat parashihet masa e heqjeve të pikëve negative
“Prej këtyre për tejkalim të shpejtësisë janë shqiptuar 1 mijë e 842 gjoba, për përdorim të telefonit gjatë ngasjes 293 gjoba, për drejtim të mjetit pa patentë shofer 137 gjoba, për mos vendosjen e rripit të sigurisë janë shqiptuar 134 gjoba derisa për ngasje të automjetit me afat të skaduar të regjistrimit janë shqiptuar edhe 81 gjoba”, ka thënë midis të tjerash Veseli. /Telegrafi/