Site icon Telegrafi

Veseli: PDK ia ka kthyer krenarinë Vushtrrisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Vesli, në tubimin elektoral në Vushtrri shpalosi platformën ‘Fillimi i Ri’ i cili tha se ka të bëjë me fuqizimin e rinisë, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe fuqizimin e gruas.

“Duhet të punojmë edhe më shumë që të jemi bashkë, duke filluar nga unë dhe nga secili simpatizues i PDK-së.  Për këtë vend kemi edhe shumë për të bërë, për ta zhvilluar ekonomikisht. ‘Fillimi i Ri’, është Kosova jonë, shteti jonë, flamuri jonë kombëtar që askush guxon ta cenoj.  ‘Fillimi i Ri’, është zhvillimi ekonomik, rritje e pagave për sektorin publik dhe për pensionistët, fuqizimi i grave që e përbëjnë 50 për qind të popullatës tonë, kategoritë e dala nga lufta, personat me aftësi të veçanta”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kryetari i degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi, tha se partia e tij ia ka kthyer krenarinë qytetit të Vushtrrisë.

Ai gjithashtu tha se premtimet e bëra në zgjedhjet e kaluara  i kanë realizuar.

“E ndryshuam qytetin e Vushtrrisë. Jeta nëpër fshatra ka ndryshuar shumë. Infrastruktura është krijuar nëpër fshatra gjithashtu dhe sistemi i ujit të pijshëm ka arritur kudo.  Ia kemi kthyer krenarinë qytetit të Vushtrrisë”, ka thënë Kajtazi.

Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, gjatë tubimit tha se Vushtrria i ka thënë gjithmonë ‘po’, Partisë Demokratike të Kosovës.

Ajo tha se qytetarët duhet t’i bashkohen “Fillimit të Ri”, për të arritur fitore të bindshme./Telegrafi/

Foto: Arkiv

Exit mobile version