Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë para qindra qytetarëve në lagjet Ortakoll dhe Tabakhane se Komuna e Prizrenit i ka besuar dhe i beson vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës, sepse është forca e vetme që ka sjellë ndryshime të mëdha.
Kreu i PDK-së ka thënë se Shaqir Totaj është menaxheri dhe kandidati më i mirë për të zhvilluar ekonominë e Prizrenit.
Veseli theksoi se programi i PDK-së dhe kryetari i ri, Shaqir Totaj, do të hapin perspektivë të re për Prizrenin, duke investuar e punuar për një zhvillim më të madh ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Gjithashtu, Veseli tha se me PDK-në në katër vjetët e ardhshme, Prizreni do të bëhet qyteti më i rëndësishëm jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë ekonomik dhe institucional.
E kandidati për Kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, duke shpalosur programin para qytetarëve, theksoi se zhvillimi ekonomik është shtylla e angazhimit në katër vjetët e ardhshme, por edhe me një fokus të lartë në ruajtjen e trashëgimisë, rritjen e turizmit, promovimin e sportit dhe kulturës.
“Ne do të kemi mbështetjen e plotë nga kryetari Veseli dhe Qeveria e Kosovës, sepse do të punojmë shumë dhe ndershëm për ta zhvilluar ekonominë e Prizrenit dhe për të hapur perspektivë për vende të reja të punës”, ka thënë Totaj.
Pas lagjeve Ortakoll dhe Tabakhane, Veseli e Totaj janë pritur nga qindra qytetarë të fshatrave të rajonit të Hasit, ku edhe para tyre shpalosën platformën qeverisëse të Partisë Demokratike të Kosovës.