Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, së bashku me kandidaten për kryetare të komunës së Mitrovicës nga radhët e kësaj partie, Valdete Idrizi, kanë takuar sot në Mitrovicë gratë sipërmarrëse, mësuese, kryefamiljare, si dhe studentë të kësaj komune.
Veseli tha mes tjerash se gruaja duhet të marr përgjegjësi njëjtë sikurse burri, sepse nuk ka zhvillim dhe perspektivë pa involvimin e gruas në marrjen e përgjegjësive.
“Është ndryshe krejt kur gratë marrin përgjegjësitë. Jemi partia e vetme që kandidojmë tre gra për kandidate për kryetare dhe Mitrovica do ta ketë për kryetare një grua”, ka thënë Veseli.
Kandidatja për kryetare Valdete Idrizi, tha se partitë tjera i kanë vetëm fjalë kur flasin për barazinë gjinore.
“Partitë tjera e kanë gojën plotë barazi gjinore ndërsa asnjëra prej tyre nuk e ka një grua për kandidat për kryetar ndërsa PDK po e dëshmon ketë me mua. Këto janë fakte”, theksoi Idrizi.
Veseli dhe Idrizi kanë vizituar po ashtu edhe bizneset “Aldi” dhe “Loni Dekor” në fshatin Frashër të Mitrovicës, me ç’rast premtuan se bizneset do të gjejnë tek PDK-ja partnerët dhe aleatët e forcimit dhe zgjerimit të veprimtarive të tyre ekonomike.