Malisheva ishte ndalesa e radhës e kreut të Partisë Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e hapjes së fushatës zgjedhore nëpër qendrat e Kosovës.
Para anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve të tjerë të këtij qyteti, Veseli tha se emri i Malishevës lidhet ngushtë me emrin e lirisë së Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tani do të lidhet edhe me Fillimin e Ri dhe fitoren më të fuqishme që PDK-ja ka shënuar ndonjëherë në historinë e saj.
“Fillimi i Ri ka lindur nga populli ynë dhe kërkesat e tij. Për rreth 100 ditë kam takuar mijëra bashkëqytetarë anekënd Kosovës, kam dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre. Ajo çfarë dëshirojnë ata është një jetë më e mirë. Ata duan që fëmijët tanë të rriten në një Kosovë krenare, evropiane dhe të zhvilluar ekonomikisht, me perspektivë të sigurtë për të ardhmen e tyre. Këtë do ta bëjmë pas 11 qershorit”, theksoi Veseli.
Ai shtoi se Fillimi i Ri është koncept i orientuar tërësisht kah ekonomia.
Kreu i PDK-së u shpreh se Malisheva ka potenciale të jashtëzakonshme, me njerëz atdhetarë e intelektualë, por njëkohësisht punëtorë të zellshëm. Ai tha se bujqësia zë vend të rëndësishëm në platformën e Fillimit të Ri, e cila parasheh mbështetje dhe fuqizim të fermerëve, e rrjedhimisht rritje të prodhimit vendor. Kreu i PDK-së paralajmëroi dyfishim të buxhetit për bujqësinë dhe fermerët, që nënkupton rritje të granteve dhe subvencioneve.
Edhe gjatë këtij tubimi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës u zotua për rritje të pagave prej 30 për qind për punëtorët e shërbimit publik dhe rritje prej 25 për qind të pensioneve.
“Jemi bërë bashkë në këtë koalicion, jo vetëm pse kemi qenë bashkë në luftë, por se duam të kemi një shtet të zhvilluar ekonomikisht, që qytetarët të kenë një jetë cilësore, që shteti ynë të mos cenohet nga askush dhe që këtë shtet ta çojmë përpara, aty ku e ka vendin, në BE”, theksoi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.