Kosova nuk mund të udhëhiqet nga ata të cilët ikin jashtë Kosovë vetëm krisma e parë me kërcit, andaj duhet të bashkohen më 11 qershor dhe ta votojnë PDK-në dhe Fillimin e Ri për një Kosovë perëndimore. Kështu u ka thënë simpatizantëve të PDK-së dhe qytetarëve të Lipjanit, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli të shtunën në një tubim elektoral.
Kreu i PDK-së, para qindra simpatizantëve dhe qytetarëve të Lipjanit, tha se kudo që po shkon nëpër Kosovë, po sheh një entuziazëm të shpresës dhe fitores së thellë më 11 qershor.
Veseli pyeti qytetarët e Lipjanit se kush duhet ta udhëheqë vendin pas 11 qershorit.
“A mund ta udhëheqë Kosovën dikush që nuk e njeh shtetin e Kosovës, s’e njeh flamurin e Kosovës. A mund ta udhëheqë dikush Kosovën që me kris krisma e parë ikin jashtë Kosovës. Kënd do ta vëmë para agresionit serb që dëshiron të kthehet në Kosovë, a mund t’i vëmë ata që përbuzin lirinë dhe frikësohen nga liria. Atëherë, më 11 qershor të bëhemi të gjithë bashkë rreth Kosovës sonë të re, rreth Kosovës sonë perëndimore, rreth Kosovës sonë të zhvilluar ekonomikisht, rreth Kosovës sonë në partneritet të përjetshëm me SHBA-në dhe partnerët tanë perëndimore. Ta votojmë PDK-në”, tha Veseli.
Misioni i Fillimit të Ri, Veseli tha se do të jetë në përkrahje të ndërmarrësve që krijojnë vende të punës, pasi për prioritet është zhvillimi ekonomik.
“Kosova jonë perëndimore ka nevojë për një fillim të ri, ka nevojë për një fillim të ri që fuqizon sovranitetin, shtetin tonë të pavarur e sovran, e mban të lartësuar flamurin tonë të shenjtë kombëtar, në të njëjtën kohë e mban të lartësuar flamurin e shtetit tonë. Kosova jonë ka nevojë t’i japë kuptim kësaj lirie, këtij sovraniteti, kësaj fuqie të vet sovrane, duhet ta zhvillojë ekonominë e vet. Duke qenë një ekonomi e fuqishme, edhe sovraniteti i këtij vendi është më i fuqishëm, duke qenë një ekonomi e fuqishme edhe qytetarët e këtij vendi janë më të lumtur dhe të jetojnë më dinjitoz në shtetin e tyre krenar. Ky është Fillimi i ri”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së u zotua se në qeverisjen e ardhshme do të ketë dyfishim të buxhetit në shëndetësi, derisa përsëriti fuqizimin e gruas dhe të rinjve të cilëve u tha se janë heronj të paqes.