Site icon Telegrafi

Veseli në Ferizaj: PDK fiton në çdo stinë, në vjeshtë qeveris me Ferizajn

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot në Ferizaj, në një tubim me qytetarë dhe simpatizantë, ka shpalosur platformën e Fillimit të Ri.

Kryetari Veseli ka thënë se Ferizaj është një qytet që i ka dhënë shumë ekonomisë së Kosovës dhe përkrahja për bizneset e kësaj ane duhet të fuqizohet, për të rritur ekonominë, dhe për të hapur vende të reja të punës.

Ai tha se përveç fokusimit në ekonomi për të rritur prodhimin vendas, si në bujqësi dhe nënsektorë tjerë ekonomikë, Fillimi i Ri ka në prioritet fuqizimin e gruas dhe rinisë në jetën institucionale. Gjithashtu, theksoi se qeverisja e ardhshme do të investojë shumë në reformimin e shëndetësisë për të mos dërguar para jashtë vendit për shërim.

Sa i përket sektorit publik, ai premtoi edhe një herë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës për policët, zjarrfikësit, mjekët, mësimdhënësit e kategori të tjera.

Fillimi i ri, tha ai, nënkupton zhvillim ekonomik që e forcon Kosovën në të gjitha stinët. Në këtë frymë, ai përveç fitores me 11 qershor, tha se PDK-ja do të fitojë në Ferizaj edhe në vjeshtë në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash.

Kosova, tha Veseli ka nevojë për një qeverisje që e do Kosovën, që ruan miqësinë me miqtë e saj, dhe jo për njerëz që nuk bëjnë asgjë apo ata që nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Exit mobile version