Site icon Telegrafi

Veseli bëri iftar dhe shikoi ndeshjen me qytetarët mitrovicas (Foto)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kaluar mbrëmjen e të shtunës së bashku me qytetarët e Mitrovicës. Ai ka bërë iftar së bashku me qytetarët dhe mandej në qendër të qytetit ka shikuar ndeshjen Juventus – Real Madrid, që ishte organizuar nga PDK-ja në këtë qytet.

Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në iftarin që është shtruar në afërsi të Liqenit Artificial që është në përfundim e sipër në Mitrovicë.

Të pranishëm ishin edhe strukturat drejtuese të PDK-së në këtë qytet dhe kandidatët për deputetë, Jehona Shyti, Drita Kadriu, Rrustem Musa e Abdyl Salihu.

Kryetari Veseli pas mirëseardhjes që ju uroi në iftar, tha para qytetarëve se është kënaqësi e madhe kur sheh një projekt madhështor sikur Liqeni Artificial, që e ka ndërruar pamjen e kësaj pjese të qytetit. “Projekte madheshtore si ky, sikur Sheshi i qytetit, Qendra multisportive, Palestra e sportit, Fabrika e ujit etj,  kanë nisur në kohën e qeverisjes së PDK-së në Mitrovicë, prandaj qytetarët e kanë kuptuar se kush mund të bëj punë të mëdha dhe kush mjaftohet në fjalë boshe”.

Ai ka thënë para qytetarëve të mbledhur aty, se me “Fillimin e Ri”, do të nisin projekte të tjera të mëdha në Mitrovicë dhe në gjithë Kosovën. “Fitorja e “Fillimit të Ri” në zgjedhjet e 11 qershorit është fitore për zhvillimin ekonomik, është fitore për fëmijët tanë, është fitore për të ardhmen e Kosovës”, tha ai.

Pas iftarit kryetari Veseli ju është bashkuar qytetarëve që ishin mbledhur në një organizim të të rinjve të PDK-së në qendër të qytetit, për ta shikuar ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Juventusit dhe Real Madridit.

Exit mobile version