Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën pronësi të kompanisë ruse Gazprom Neft.
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, sqaroi gjatë një vizite në Beograd se këto masa nuk synojnë Serbinë, por Rusinë.
Sipas Verma-s, NIS është një nga 2000 kompanitë ruse të sanksionuara nga SHBA-ja, raporton nova.rs.
Ai theksoi se “fitimet e NIS-it, të cilat Rusia i nxjerr nga Serbia, nuk po riinvestohen në vend”.
Për këtë arsye, Verma sugjeroi se “largimi i pronësisë ruse nga kompania do të përmirësonte stabilitetin në rajon” dhe do të ndihmonte Serbinë të diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe të bëhet më e pavarur.
Ndryshe, Industria e Naftës së Serbisë është kompania e vetme në vend që merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror. Gazprom Neft zotëron shumicën e aksioneve të NIS-it (56.15 për qind), ndërsa Serbia mban 29.87 për qind të aksioneve. Pjesa tjetër u përket aksionarëve më të vegjël.
Më 10 janar, Departamenti i Financave i SHBA-së përfshiu NIS-in në listën e kompanive të sanksionuara për lidhjet e saj me Gazprom Neft, kompani që tashmë është nën sanksione evropiane dhe amerikane për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë. Megjithatë, kompania mëmë e Gazprom Neft, Gazprom, nuk është sanksionuar nga vendet perëndimore. /Telegrafi/