KESCO do të vazhdojë që falas t’i furnizojë me energji elektrike qytetarët e komunave veriore. Kosto e furnizimit të qytetarëve në komunat veriore do të mbulohet nga paguesit e rregullt të energjisë elektrike në Kosovë. Ndryshimi i vetëm që do të jetë gjatë këtij viti është ndërmarrja që do t’i shlyejë këto borxhe ndaj KESCO-s.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që koston e furnizimit të veriut me rrymë si dhe Fondin për Energjinë e Ripërtërishme të bartë tek Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT, KOSTT). Kjo bartje e kostos nga KEDS-i dhe KESCO tek KOSTT-i do të ketë ndikim pozitiv te konsumatorët shtëpiakë dhe ata komercialë, të cilët deri më tani i kanë mbuluar këto kosto shtesë, ndërsa në të ardhmen në këtë kosto do të kontribuojnë edhe ndërmarrjet e mëdha, të cilat janë të kyçura direkt në rrjetin e KOSTT-it.
Ndërmarrjet e kyçura në rrjetin e KOSTT-it janë Ferronikeli, Trepça dhe Sharrcem.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka miratuar buxhetin për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT, KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) për vitin 2017. Në total buxheti për këto dy ndërmarrje është rritur për 4.28 milionë euro krahasuar me të hyrat maksimale të lejuara në vitin 2016.
Aktualisht, përkundër miratimit të të hyrave maksimale të lejuara për këto dy ndërmarrje nuk dihet se sa do të jenë të hyrat maksimale për gjithë sektorin, pasi nuk dihet se sa do të jenë të hyrat e KEK-ut dhe të furnizuesit me energji elektrike (KESCO).
Këto dy të fundit më nuk do të jenë objekt i rregullimit të Zyrës së Rregullatorit pasi që nga data 1 prill është liberalizuar tregu i energjisë për furnizues (KESCO) dhe për gjenerim të energjisë elektrike (KEK). Bazuar në rregullat e tregut të lirë, KEK-u dhe KESCO duhet të merren vesh për çmimin e energjisë me shumicë. ZrRE-ja i ka publikuar vetëm raportin për KEDS-in dhe KOSTT-in.
Të hyrat maksimale të KOSTT-it për vitin 2017 janë përcaktuar në nivel prej 34.9 milionë euro, që krahasuar me vitin 2016 (22.4 milionë) kemi një rritje prej 12.5 milionë euro. Kjo rritje e buxhetit për KOSTT-in ka ardhur si rezultat i ndryshimeve ligjore të cilat e kanë obliguar KOSTT-in që t’i trajtojë humbjet në veri dhe energjinë e prodhuar nga burimet e ripërtritshme.
“Duke filluar nga data 1 prill i vitit 2017, KOSTT do të jetë përgjegjës për trajtimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme dhe menaxhimin e Fondit për BRE në vlerë prej 6.7 milionë euro, shumë kjo e cila do të menaxhohet nga Operatori i Tregut në kuadër të KOSTT-it”, thuhet në raportin e ZRrE.
Në këtë raport është pasqyruar edhe kosto e furnizimit të veriut me rrymë, e cila duhet të mbulohet nga paguesit e rregullt të energjisë elektrike.
“Një rritje e MAR-it të KOSTT-it për vitin 2017 i atribuohet kostos së humbjeve në Veri të Kosovës të cilat për vitin 2017 janë parashikuar të jenë në vlerë prej 8.7 milionë euro”, thuhet tutje në raportin e ZRrE-së.
Duke marrë parasysh që këtë vit KOSTT-i do t’i ketë 15.4 milionë euro më shumë të hyra për t’i mbuluar humbjet në veri dhe BRE-të (të cilat më parë janë mbuluar nga KEDS-i dhe KESCO), KOSTT-it i bie të ketë një ulje të buxhetit për shkak të përshtatjes negative. Kjo nënkupton se KOSTT-it do t’i tërhiqen 4.4 milionë euro të cilat i ishin lejuar si të hyra në vitin 2016.
“Përshtatjet negative në MAR-in e KOSTT-it i atribuohen kryesisht kthimit të parave për lejimin e kostove të shërbimeve ndihmëse të lejuara në vitin 2016 e cila nuk është përdorur (ekuivalent me zbritjen në MAR për 2017 prej 4.4 milionë euro pas përshtatjes së normës së interesit të aplikuar), kontributet e konsumatorëve në vlerë prej 0.7 milion euro dhe të hyrat neto nga ICT për vitin 2016 dhe 2017 në vlerë prej 0.2 milion”, thuhet në raportin e ZRrE-së.
Përveç kësaj, KOSTT-i ka arritur që në vitin 2016 të mbledhë 1.5 milionë euro më shumë të hyra për shkak të rritjes së sasisë së energjisë së transmetuar. Këto të hyra barten në buxhetin e vitit 2017, pra konsiderohet si zbritje për konsumatorët apo thënë ndryshe kthim i të hyrave tek konsumatori.
“Ndryshimi në mes të MAR të lejuar nga ZRrE-ja prej 22.4 milionë euro dhe të ARR të mbledhura nga OST/OT prej 23.9 milionë i kthehet konsumatorëve dhe zbriten nga MAR i KEDS me përshtatje për normën e interesit”, thuhet në raport.
Ndryshime në të hyrat ka edhe KEDS-i, operatori i sistemit dhe shpërndarjes. KEDS-i në vitin 2017 do t’i ketë të hyra vetëm 67.8 milionë euro krahasuar me 76.5 milionë euro sa i kishte të lejuara në vitin 2016. Por, kjo ulje e të hyra është e ndërlidhur me ulje edhe të obligimeve që do t’i ketë KEDS-i. Për shkak të bartjeve të përgjegjësive nga një ndërmarrje tek tjera nuk mund të dihet nëse në fakt të hyrat e KEDS-it do të rriten dhe se cili ndikim do të jetë në tarifat e energjisë.
Në raportin e Zyrës së Rregullatorit thuhet se KEDS-i në vitin 2016 ka arritur t’i mbledhë 5 milionë euro më shumë se planifikimi.
“Ndryshimi në mes të MAR të lejuar nga ZRRE-ja prej 75.6 milionë euro dhe të hyrave të realizuara (ARR) nga OSSH-ja prej 80.8 milionë euro (përfshirë rikthimin e humbjeve dhe furnizimin e pafaturuar për regjionin e Ferizajt) përshtatet në MAR të vitit 2017, i indeksuar për normën e inflacionit”, thuhet në raportin e ZRRE-së./Klallxo.com/