Site icon Telegrafi

Verë 2009, po pushtohet Saranda

Plazhi i bukur, uji i pastër, ambient tejet i pëlqyer, mikpritje bujare, mirësjellje, konsideratë, qetësi, siguri maksimale dhe çdo gjë e kushtuar dhe përkushtuar turizmit, janë ato postulate që tërheqin turistët në Sarandë.

Saranda ishte dikur një perlë turistike e shndërruar në ëndërr të shumë shqiptarëve, mbase edhe të tjerëve.

Kjo perlë turistike, aq e dëgjuar, as që mund të përshkruhet me fjalë.

***

Rrjeti britanik i investimeve ndërkombëtare Write About Property, në rekomandimet për investime në patundshmëri, vlerëson se Saranda është një nga destinacionet më popullore turistike të botës.

Shqipëria është vlerësuar edhe nga Programi Blu Flag, që i jep merita atyre vendeve bregdeti i të cilave është i pastër dhe i sigurt, shkruan autori i këtij artikulli Liam Bailey, duke theksuar se Tirana zyrtare është e vendosur që plazhet e saj t’i shndërrojë në më të mirat në Evropë.

Me një klimë të ngjashme si Korfuzi, me një bregdet të jashtëzakonshëm dhe me shpenzime të ulëta jetese, nuk është e nevojshme të jesh një gjeni për të kuptuar potencialin e Sarandës.

Sipas Bailey, gjatë viteve të ardhshme Saranda do të përjetojë një rritje të madhe të numrit të turistëve dhe, si rrjedhojë, vlera e pronave dhe patundshmërive në këtë qytet të bukur bregdetar do të shumëfishohet, deri në 200 përqind në këto 10 vitet e ardhshme.

Madje, disa organizata dhe agjenci turistike e kanë cilësuar Shqipërinë si një “Pasion të ri mesdhetar”, dhe si një ndër vendet më atraktive të Evropës Juglindore. 

Pozita e favorshme gjeografike, klima, bukuritë natyrore dhe trashëgimia e pasur historike e kulturore, janë garanci të mëdha për argëtimin e secilit turist që zgjedh ta vizitojë Tokën e Shqipeve, konstaton në fund të artikullit, Liam Baily.

***

Nga Prishtina, treqind kilometra rrugëtim apo nga Tirana, gjysma e tyre, ia vlen për të vizituar Sarandën, për të përjetuar ato bukuri përrallore, ato plazhe të virgjëra, atë bujari, mikpritje të papërshkruar sarandase.

Sarandiotët kishin vënë në shërbim të turizmit çdo gjë që kishin mundur. E kishin shndërruar qytetin në një kantier ndërtimi, kryesisht të hoteleve dhe kapaciteteve tjera hotelerie.

Kjo ndodh për shkak se turizmi është dega e vetme fitimprurëse, pos emigracionit dhe nga pak peshkimit.

Është për t’u habitur se në parkingjet e shumta mirë të organizuara dhe të rregulluara, në rastet më të shpeshta vëreheshin vetura (pos ato sarandase) me targa nga Shkupi, Velesi, Shtipi, Prilepi, Manastiri, Tetova, Gostivari etj, por nuk ishin të pakta as veturat me targa të Ohrit.

Bashkëbiseduesit Jorgo Duka, Minella Prifti dhe Spiro Gjiçali, sarandiotë, treguan se dita ditës shtohet numri i mysafirëve nga Maqedonia, si maqedonasve ashtu edhe shqiptarëve. /noa/

Exit mobile version