Telegrafi

Verdikti final për kriminelët Stanishiq dhe Simatoviq do të jepet më 30 qershor në Hagë

Dënimi apo mos dënimi i ish-drejtuesve të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit (UDB) të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq-Frenki, do të zhvillohet në 30 Qershor në 3 pasdite. Trupi gjykues me tre gjyqtarë kryesohet nga gjyqtari Barton Hall gjersa gjyqtar të tjerë janë Joseph Ciondo Massanche dhe Seon Key Park.

Stanishiq, 70 vjeç, një ish-shef i UDB-së serbe dhe Simatoviq, 71 vjeç, një shef operativ, janë akuzuar për përndjekje, vrasje, transferim me forcë dhe deportim të kroatëve dhe myslimanëve në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë gjatë viteve 1991-95.

Katër akuza përbëjnë ndër të tjerash krimet kundër njerëzimit dhe një për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, raporton N1.

Prokurorët në gjyqin e përsëritur të Hagës, gjatë argumenteve të tyre përmbyllëse në muajin prill, pretenduan të kenë provuar fajësinë e atyre që janë akuzuar për krime në Kroaci dhe Bosnje.

Rigjykimi i Stanishiq dhe Simatoviq është ndër gjyqet e fundit para gjykatës së Hagës për të përcaktuar nëse zyrtarët serbë ishin përgjegjës për krimet e luftës në Kroaci dhe BH.

Duhet të kujtojmë se pas gjykimit të parë, Tribunali i Hagës liroi Stanishiqin dhe Simatoviqin në maj të 2013.

Prokurorët paraqitën një apel dhe në dhjetor 2015, Dhoma e Apelit e Tribunalit anuloi vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi një gjykim të ri. Rigjykimi filloi më 13 qershor të 2017.

Ju kujtojmë se i akuzuari i parë Stanishiq u la i lirë përkohësisht në Serbi në verën e vitit 2017 për shkak të sëmundjes për shkak të një vendimi gjyqësor.

Stanishiq dhe Simatoviq u arrestuan nga autoritetet serbe pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq në mars të 2003 dhe u transferuan në Hagë në maj të atij viti.

Të dy u deklaruan të pafajshëm në daljen e tyre të parë në gjyq. Në vitet në vijim, gjatë gjykimit të parë dhe të përsëritur, Stanishiq dhe Simatoviq kaluan periudha të gjata të lirisë së përkohshme në Serbi. /Telegrafi/