Telegrafi

Vepra e artistes Neda Saeedi ekspozohet në mënyrë permanente në Sheshin e Lidhjes

Vepra artistike e titulluar “Në thellësinë e natës qielli sheh diellin” e autores Neda Saeedi që vitin e shkuar ishte ekspozuar në Sheshin e Lidhjes në kuadër të edicionit të 4-të të Autostrada Biennale do të qëndroj edhe për një kohë të gjatë në këtë lokacion.

Autoritetet lokale së bashku me artisten dhe drejtuesit e Autostrada Biennale gjatë fundjavës me një ceremoni kanë bërë të ditur se kjo vepër do të qëndroj e ekspozuar në mënyrë permanente.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se është realizuar “inaugurimi i veprës së artistes Neda Saeedi në qendër të Prizrenit, si pjesë e koleksionit tashmë permanent të Autostrada Biennale, që ia shton sharmin qytetit”.

“Përgëzoj Autostradën Biennale që vazhdimisht promovon artin bashkëkohor dhe përfshin Prizrenin në dialogun ndërkombëtar të artit”, është shprehur Totaj.

Ideja për ekspozimin permanent të kësaj vepre ishte diskutuar prej vitit të shkuar, kur kryetari Totaj pati vizituar disa vepra artistike të realizuara në kuadër të edicionit të 4-të të Autostrada Biennale.

Asokohe pat shprehur bindjen se vepra e artistes Saeedi e ka zbukuruar sheshin dhe se është prodhuar enkas për këtë vend, prandaj dhe pat kërkuar që të ekspozohet në mënyrë të përhershme.

Në tekstin e shkruar nga njëra prej kuratoreve të edicionit të 4-të të Autostrada Biennale, Övül Ö. Durmuşoğlu thuhet se Neda Saeedi krijon mjedise me bazë skulpturore që gjurmojnë dijen dhe mitet stërgjyshërore, si dhe gjenealogjitë që rrjedhin nga vegimet e saj të Mesopotamisë dhe nga përvoja e saj si punëtore kulturore imigrante në Evropë.

“Ndërsa shkrin epoka, trajta dhe narrativa të ndryshme me njëra-tjetrën, ajo vë në pyetje mënyrën se si arkitektura farkon trupin e njeriut dhe marrëdhënien e tij me botën përmes të kuptuarit vetmor të artistes për punën e dorës dhe qëndrueshmërinë. Brenda hapësirave të saj, të cilat japin edhe përshtypjen e familjaritetit, edhe atë të papritshmërisë, ajo i vetëdijeson audiencat për një poetikë tejbrezore që mund të jetë edhe e lashtë, edhe futuristike në të njëjtën kohë”.

Durmuşoğlu ka bërë të ditur se Saeedi me veprën e saj nga edicioni i 4-të i Autostrada Biennale, “ajo imagjinon një sy të qytetit që sodit nga e kaluara drejt së ardhmes—brenda piedestalit rrethor të monumentit të shkatërruar të partizanëve—gjë që simbolizon rrëfimin e pasosur të shpërnguljes dhe vendosjes”.

“Vepra e qelqtë frymëzohet nga fenerët Fresnel dhe nga vetë fjala Kosovë, që do të thotë fusha e mëllenjave. Mëllenjat shtegtojnë vetëm në kohë vështirësish; ato gjithmonë kthehen në vendet që i quajnë shtëpi. Gjashtë mëllenja që qarkullojnë brenda syrit theksojnë etnitë e ndryshme të Kosovës në lëvizje dhe kthim të vazhdueshëm. Lëvizja e tyre e pasosur lidhet me rrëfimet e shumta që presin radhën të tregohen në këtë pjesë të lashtë të botës”.

Neda Saeedi (1987) ka lindur në Tehran dhe jeton e vepron në Berlin.

Inaugurimi i veprës artistike të Neda Saaedi si vepër e përhershme në Koleksionin Autostrada është realizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10-vjetorit të veprimtarisë së Autostrada Biennale. /Telegrafi/