Site icon Telegrafi

Vendoset gurthemeli i xhamisë së re në lagjen e spitalit në Gjilan

Është vënë gurthemeli i xhamisë në Lagjen e Spitalit në Gjilan.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Gjilanit, derisa theksohet se pritet të jetë njëra nga xhamitë më të mëdha në qytet.

Ndër të tjera, bëhet e ditur se ndërtimi i një xhamia, ishte kërkesë e kahershme e banorëve të asaj lagje.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se së bashku me Myftiun e Republikës së Kosovës, Naim Tërnava dhe kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, vunë gurthemelin për xhaminë në lagjen e Spitalit.

“Uroj që kjo xhami të jetë në shërbim të komunitetit dhe qytetarëve dhe që të jetë veçanërisht një vend nga ku buron edukata për dashurinë ndaj atdheut dhe paqen ndërnjerëzore”, tha kryetari Hyseni.

Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, tha se ndërtimi i kësaj xhamie do të mundësojë adhurimin e krijuesit dhe në veçanti do të shërbejë në edukimin e brezave të rinj në frymën islame e kombëtare.

Edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, Naim Aliu, tha se kjo xhami do të shërbejë për gjithë qytetarët e Gjilanit, dhe si e tillë do të jetë qendër e bashkimit dhe e unitetit. /Telegrafi/

Exit mobile version