Site icon Telegrafi

Vende të lira pune në sektorin e shëndetësisë në Gjilan

Përmes një komunikate për media, Komuna e Gjilanit njofton qytetarët për vende të lira pune në sektorin e shëndetësisë si mjek i përgjithshëm, mjek stomatolog i përgjithshëm, infermier i përgjithshëm, specialit i biokimisë dhe teknik i radiologjisë.

Për mjek të përgjithshëm, Komuna e Gjilanit ka shpallur dy vende të lira, derisa për këtë pozitë kërkohen kushte për të cilat aplikanti duhet t’i plotësojë.

Disa nga kushtet e përgjithshme të cilat kërkohen është se aplikanti duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të ketë licencën e punës, të zotërojë njërën nga gjuhët zyrtare, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për ndonjë vepër penale, të mos ketë fuqi në ndonjë masë disiplinore dhe gjithashtu të ketë aftësi të plotë për të vepruar.

Ndërsa, dokumentet e nevojshme që aplikanti duhet t’i ketë për aplikim është diploma universitare – fakulteti i mjekësisë, drejtimi i përgjithshëm, licencën e punës (kopje), personat me diplomë jashtë vendit duhet ta kenë të nostrifikuar nga MASHT, formularin e aplikimit, resumen personale, certifikatën e lindjes, leternjoftimin, certifikatën nga gjykata që aplikanti dëshmon se nuk është nën hetime ose i dënuar (jo më të vjetër se gjashtë muaj), certifikatën e gjendjes shëndetësore (pas përzgjedhjes së Komisionit).

Përveç kësaj, kërkohen edhe tre pozita të lira me bachelor për infermierë të përgjithshëm.

Si për pozitat e tjera, edhe për këtë pozitë, kushtet e punës janë të njëjta, vetëm se tek dokumentet e nevojshme që i kërkohen aplikantit është diploma bachelor e infermierisë.

Kurse, për mjek stomatolog i përgjithshëm kërkohet vetëm një pozitë, ku për aplikantët konkurrent kërkohet diploma universitare  – Fakulteti i Mjekësisë, drejtimi i Stomatologjisë (kopje e noterizuar).

Për specialistë të biokimisë dhe teknik me bachelor të radiologjisë, kërkohet nga një pozitë. Tek pozita për specialist të biokomisë kërkohet diploma e përgjithshme e Infermierisë (kopje e noterizuar), ndërsa për teknik me bachelor të radiologjisë kërkohet diploma bachelor në drejtimin e Teknikut të Radiologjisë.

Vlen të theksohet se për të gjitha këto pozita të lira, fillimisht aplikantët do të testohen për gjashtë muaj, pastaj do të pajisen me kontratë me afatë të pacaktuar.

Mënyra e vlerësimit përfshinë një total prej 100 pikëve, ku testi me shkrim vlerësohet 70 pikë në total – me kalueshmëri prej 50 pikëve, resumeja vlerësohet me 10 pikë dhe intervista me 20 pikë.

Qytetarët kanë mundësi të aplikojnë nga data 30.07.2024 deri më 28.08.2024, derisa konkursi mbetet i hapur për një periudhë prej 30 ditësh. /Telegrafi/

Exit mobile version