Telegrafi

Vëllaznimi përsëri eliminon Dritën nga Kupa, gjakovarët sigurojnë gjysmëfinalen

Vëllaznimi i Gjakovës e ka eliminuar Dritën nga Digitalb Kupa e Kosovës, pasi ka triumfuar me rezultat minimal 1-0.

Ndeshja u nis me një faull të ashpër të Endrit Krasniqit në mesfushë ndaj Kushtrim Gashit gjë që bëri vendasit të protestojnë ashpër tek gjyqtari Alban Shala.

Drita arriti të shënonte e para me kapitenin Ardian Limani në minutën e 20-të, por që goli i tij u anulua nga gjyqtari Shala për shkak se mbrojtësi mysafir kishte shkaktuar faull në portierin vendas Muhaxhiri.

Në minutën e 30-të, Endrit Krasniqi i mysafirëve pati një rast të mirë shënimi kur goditi bukur, por që edhe më bukur priti Muhaxhiri i vendasve.

E në minutën e 42-të, vendasit pas një aksioni model arritën të kalonin në epërsi kur realizoi Tun Bardhoku një gol të bukur nga distanca për 1-0.

Drita e filloi pjesën e dytë duke rrezikuar tri herë radhazi portën e vendasve.

Haxhi Neziraj provoi dy herë të shënonte ndërsa një herë tjetër edhe nigeriani Nwabueze por pa sukses.

Në minutën e 82-të dy grupet e tifozerive Kuqezinjtë e Jakovës dhe Intelektualët nga Gjilani patën një përleshje mes vete, por që Policia e Kosovës intervenoi shpejtë duke mos e lënë që situata të eskalonte mes tifozëve.

Nwabueze ka pasur një rast të artë shënimi në minutën e 93-të, por goditja e tij nga pesë metra u prit për mrekulli nga kapiteni i vendasve Altik Muhaxhiri.

Drita tentoi shënimin e golit deri në minutën e 99-të, por një gjëje të tillë nuk ia arritën pasi mbrojtja e vendasve ishte shumë e fortë.

Kësisoj Vëllaznimi për vitin e dytë radhazi e eliminon Dritën nga çerekfinalja e Kupës së Kosovës. /Telegrafi/