Derbi i vjetër i futbollit kosovar mes Prishtinës dhe Vëllaznimit ka sjellë gola, spektakël në tribuna e fushë, karton të shumtë por jo edhe fitues pasi përfundoi në barazim 2-2.
Prishtina që nga fillimi i ndeshjes filloi me sulme në drejtim të portës së gjakovarëve.
Rastin e parë të mirë e pati Mentor Mazrekaj, por që goditja e tij e fuqishme shkoi mbi portë.
Portieri i mysafirëve shpëtoi portën e tij edhe në minutën e 32-të të ndeshjes.
Sulmuesi më në formë i Prishtinës, Ahmed Jonuzi tentoi të shënoj por Muhaxhiri intervenoi edhe më mirë duke mbetur rezultati 0-0.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi për mrekulli për vendasit, të cilët realizuan vetëm pas dy minutave.
Ishte sulmuesi anësor, Gauthier Makenda që shënoi për ta zhbllokuar ndeshjen në 1-0.
Makenda kishte rast të mirë shënimi edhe dy minuta më vonë, por që goditja e tij nuk ishte e saktë.
Gjakovarët iu afruan barazimit në minutën e 64’, por goditja e Burim Qorrit u ndal nga shtylla.
E katër minuta para fundit të ndeshjes, Prishtina gjeti golin e qetësisë kur shënoi Ergyn Ahmeti pas asistimit nga Arbër Hoxha.
Në minutën e fundit të ndeshjes, Përparim Osmani luajti me dorë në vijën fatale dhe gjyqtari akordoi penallti duke ndëshkuar me të kuq Osmanin.
Nga pika e bardhë i saktë ishte mbrojtësi i djathtë Besnik Krasniqi duke realizuar për 2-1.
Krejt në fund të ndeshjes, ishte super talenti nga Gjakova, Lekë Vula që arriti të shënoj dhe të barazoj shifrat në 2-2.
Prishtina pas këtij barazimi vazhdon të mbetet në pozitën e dytë në tabelë por tani me tri pikë më pak se lideri Drita.
Vëllaznimi kësisoj edhe me pikën e fituar mbetet në pozitën e nëntë me 32 pikë të tubuara pas 25 javëve.
Në ndeshjen e ardhshme Prishtina luan në udhëtim tek Flamurtari derbin lokal.
Ndërkohë Vëllaznimi do ta ketë një ndeshje direkte për t’i ikur barazhit me Drenicën. /Telegrafi/