Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet pas vdekjes së një pacienti në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Nagip Rexhepi”.
Lajmi u konfirmua për Telegrafin nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
“Ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime hetimore në mënyrë që të sqarohen pretendimet lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndryshe, Leotrim Kurteshi ka dhënë të enjten dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Nagip Rexhepi”, në Gjilan, derisa ka ftuar Prokurorinë të heton rastin e vdekjes së një pacienti për shkak të mos intervenimit me kohë të mjekut të urgjencës.
Ndaj deklarimeve të Kurteshit, sot kanë reaguar edhe nga Drejtoria për Shëndetësi dhe QKMF në Gjilan, duke thënë se deklarimet i konsiderojnë të pavërteta dhe të paqëndrueshme.
“Ndërkaq, është e çuditshme se si ish-ushtruesi i detyrës së Shefit të Urgjencës, sot më datë: 25.07.2024, dërgon e-mail me pretendimin se po jep dorëheqje, si dhe më pas publikon deklarata të pavërteta e të paqëndrueshme”, thuhet tutje në njoftim.
Madje, në reagimin e tyre u theksuar se ndaj ankesave të cilat Kurteshi i ka adresuar ka pasur reagime të menjëhershme nga drejtoria dhe QKMF. /Telegrafi/