Site icon Telegrafi

Vazhdon të zvarritet riasfaltimi i rrugës Shtime – Lipjan në drejtim të Prishtinës

Prej disa vitesh po zvarritet projekti për riasfaltimin e rrugës regjionale Shtime-Lipjan, në drejtim të Prishtinës. Për këtë projekt ishte premtuar shumë herë nga niveli qendror se do të përfundoi me kohë, por deri më tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Vite më parë pjesa e sipërme e asfaltit është larguar nga kompania kontraktues, ndërkohë punimet janë ndërprerë rreth dy vjet më parë dhe nuk kanë vazhduar asnjëherë.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me këtë çështje. Ndërkohë ky ka qenë temë debati disa herë edhe në mbledhjet e Kuvendit Komunal në Lipjan, derisa kuvendarët kanë kërkuar llogaridhënie nga komuna dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në mënyrë që të marrin masa për vazhdimin e punimeve.

Shefi i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së në Lipjan, Arsim Jashari, ka thënë për Telegrafin se qytetarët e Lipjanit nuk e meritojnë të përballen me këtë gjendje të rrugës derisa shpeshherë po krijohen edhe kolona të gjata.

“Rruga QMI- Lipjan, tash e sa vite për mungesë përgjegjësie apo mos dije, apo inate politike, po shkakton kaos dhe kolona te gjata ku shoferëve po ju shkakton humbje kohe dhe dëme në makineri. Ky aks i shkurtër i kësaj rruge po e vështirëson në qarkullimin e qytetarëve. Andaj nëse ministria nuk e ka mundësinë ta rregullon atë, atëherë të paktën duhet t’i jepet mundësia që Komuna ta finalizon projektin me paratë e veta siç është deklaruar kryetari i Komunës. Kemi dhjetëra reagime lidhur me ketë rrugë, por deri me sot këto reagime kanë hasur në vesh të shurdhet”, ka kritikuar Jashari.

Kritika ndaj nivelit qendror për mos vazhdim të punimeve ka pasur edhe nga kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili ka njoftuar se Komuna nuk ka kompetencë ta rindërtojë këtë aks rrugor, megjithëse një gjë të tillë do ta bënte për ta lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të saj.

“Është kompetencë komplet e nivelit qendror, andaj si komunë kemi bërë kërkesa për vazhdimin e punimeve, por deri më tash nuk ka lëvizur asgjë konkrete”, pati thënë Ahmeti në njërën nga mbledhjet e Kuvendit.

Exit mobile version