Në Serbi, janë rreth 60 mijë shqiptarë të cilët kanë të drejtë vote. Por, në zgjedhjet e së dielës në këtë proces votuan vetëm 12 mijë prej tyre. Arsye për këtë po del të jetë edhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve, veprim ky që Beogradi e ka ndërmarrë tash e sa vjet.
Për shkak të diskriminimit ekonomik, ata po detyrohen të jetojnë përkohësisht në Evropë apo Kosovë.
Mos prezenca e tyre gjatë gjithë kohës në vendlindje, atyre po u kushton me heqje të adresave të vendbanimit.
“Për të mos bërë rrugë të gjatë, pasi jam me fëmijë të vogël, hyra në listën e votuesve dhe e pashë që emri im nuk figuron. Kjo i bie që më nuk e kam të drejtën e votës në Serbi”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Teuta Fazliu.
Ajo thotë se autoritetet serbe i kanë dhënë disa arsye pse ia kanë hequr adresën nga vendlindja.
“Jam taksapaguese e rregullt në Serbi dhe poashtu kam edhe kurorëzim. Arsyeja e vetme që e kishte sjellë policia lokale ishte se Teuta Fazliu punon në qeveri dhe është e martuar me kosovarë”.
Pasivizimi i adresave ka prekur edhe Komunën e Medvegjës.
Sipas Këshillit Kombëtar Shqiptarë, numri i votuesve në Medvegjë për një dekadë ka rënë për 4 mijë.
“Pasivizimi që ka ndodhur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka pasur pasojat e veta. Sipas organizatave joqeveritare thuhet se për një dekadë numri i votuesve në Medvegjë ka rënë në 4 mijë. Në vitin 2016 ka pasur 10,528 votues, në vitin 2020 kishte 6,591 derisa në vitin 2020 6,175 votues”.
Ragmi Mustafi thotë se për pasivizimin e adresave u janë drejtuar institucioneve të drejtësisë në Serbi.
Ai thotë se krahas pasivizimit të adresave ka rënë edhe numri i shqiptarëve të interesuar për të votuar./Telegrafi/