Hedhja e mbeturinave në vende që nuk janë të dedikuara për to është një fenomen i cili haset çdo ditë, fenomen i cili së fundmi është hasur edhe në afërsi të Liqenit të Radonqit, ku uji i këtij liqeni shërben edhe për ujin e pijes.
Rreth kësaj çështjeje Telegrafi ka kontaktuar me zyrën për informim të kësaj kompanie, të cilët të pyetur rreth sanksioneve që mund të shqiptohet për personat që e ndotin sipërfaqen për rreth Liqenit të Radoniqit, thanë që veprime të tilla janë të dënueshme.
“Ekziston Udhëzimi Administrativ i MMPH-së, Nr; 15/2017 ku në mbështetje të nenit 22 dhe 23 paragrafi 1, përcaktohen kriteret për Zonat e Mbrojtura Sanitare të Burimeve të Ujit ku bën pjesë dhe Liqeni i Radoniqit”, u tha në përgjigjen e tyre, shkruan Telegrafi.
Nga KRU “Gjakova” thanë që ekziston edhe rreziku i ndotjes së ujit të pijes nga mbeturinat që hidhen për rreth sipërfaqes së Liqenit të Radoniqit.
“Mundësia që mbeturinat të ndotin Liqenin ekziston, por falë ekipeve të punëtorëve të kompanisë, të cilët vazhdimisht kontrollojnë zonën përreth Liqenit, ka bërë që kjo ndotje të mos ndikojë, po ashtu dhe nga monitorimi i rregullt i cilësisë së ujit, nuk ka ndonjë impakt që parametrat indikativë të na alarmojnë për ndonjë ndotje të mundshme që e rrezikon cilësinë e ujit të Liqenit”.
Ndërsa, përveç punës së vazhdueshme të ekipeve të kompanisë, zyrtarët e kompanisë u bëjnë apel edhe qytetarëve që të kujdesen për ambientet për rreth Liqenit.
“KRU “Gjakova” në vazhdimësi ka apeluar përmes kanaleve zyrtare ndaj personave të papërgjegjshëm të cilët përmes rrugëve anësore frekuentojnë sipërfaqen për rreth liqenit. Përveç peshkatarëve të cilët në këtë periudhë shfrytëzojnë lejen e peshkimit, hyrja në ambientet për rreth Liqenit të Radoniqit është e ndaluar për qytetarët për rekreacion, piknik, larje etj, bazuar në udhëzimin e lartë përmendur”, u tha ndër të tjera në përgjigjet e KRU “Gjakova”. /Telegrafi/